Tashmë disa muaj në Maqedoni po zhvillohet debati për ndryshimin e Ligjit për lojërat e fatit në Maqedoni.
Deputetët propozojnë që kazinotë të jenë në një radius prej 500 metrash nga institucionet mësimore, përderisa qytetarët si dhe organizatat kundër bixhozit, kërkojnë që kazinotë të jenë 3 mijë metra larg vendbanimeve.
Ligji aktual parasheh se objektet e bizneseve private ku ushtrohen aktivitete për lojëra të fatit, nuk mund të jenë ngjitur me oborrin e institucioneve arsimore.
Por, kjo nuk është e mjaftueshme për Shoqatën e Arsimtarëve, pasi që anembanë Maqedonisë, në një rreze prej më pak se 300 metrash nga shkollat fillore ose të mesme mund të hasësh kazino dhe bastore sportive.
Deputeti i Bashkimit Demokratik për Integrim, Rexhail Ismaili, i cili është një nga propozuesit e Ligjit që rregullon lojërat e fatit, thotë se nuk mund të kemi një zgjidhje radikale siç është rasti në Shqipëri, e cila nga fillimi i këtij viti i ka mbyllur të gjitha kazinotë dhe bastoret sportive, megjithëse shton se është problem shumë serioz dhe qëkërkon zgjidhje urgjente.
Edhe kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev, thotë se situata me bixhozin është alarmante. Megjithatë, Zaev potencon se nuk mendon të ndërmarrë masa radikale si në Shqipëri, sepse, siç është shprehur ai, në këtë sektor në Maqedoni janë të punësuar më shumë se 6 mijë persona.
“Do t’i shohim të gjitha efektet dhe masat dhe do të marrim vendim”, thekson Zaev.
Por, Xhemal Abdiu nga Lëvizja Anti-bixhoz në Tetovë, e cila tanimë ka realizuar takime me përfaqësuesit e të gjitha partive politike shqiptare, thotë se dislokimi i kazinove duhet të jetë tërësisht larg objekteve të banimit, madje në një rreze prej 3 kilometrash, në të kundërtën shoqëria në Maqedoni do të bartë pasoja të thella nga kjo dukuri.
“Kërkesa jonë e parë dhe më e rëndësishme që shpresojmë të realizohet, është që të gjitha kazinotë, bastoret dhe çka do që ka të bëjë me lojërat e fatit, të largohet nga vendbanimet tona. Kërkesa e dytë është që 5 për qind nga fitimi i lojërave të fatit, të destinohen për rehabilitimin e personave të varur nga kjo dukuri”.
“Dhe, e treta, kërkojmë që të hartohet një strategji nacionale për arsimim dhe edukim të nxënësve, studentëve pra kryesisht të rinjve nga pasojat që sjellin lojërat e fatit”, thotë Abdiu për Radion Evropa e Lirë.
Kërkesat e kësaj lëvizjeje janë mbështetur edhe nga bashkësitë fetare në Maqedoni, përkatësisht Kisha Ortodokse Maqedonase dhe Bashkësia Fetare Islame e Maqedonisë.
Sociologët thonë se papunësia e lartë në mesin e të rinjve që arrin në 50 për qind të popullatës është një element shumë i rëndësishëm që i shtyn të rinjtë që përmes lojërave të fatit, të kërkojnë të sigurojnë mjete materiale.
Ali Pajaziti, sociolog nga Universiteti i Evropës Juglindore, konsideron se Ligji duhet të jetë rigoroz dhe në asnjë mënyrë nuk duhet të paraqesin model shtetet evropiane, sepse përderisa lojërat e fatit në shtetet e zhvilluara shihen si mundësi për t’u argëtuar në kohën e lirë, në Maqedoni për shkak të gjendjes së rëndë ekonomike, lojërat e fatit shihen si mundësi për të siguruar ekzistencën.
“Një pjesë e qytetarëve, shpëtimin e kërkojnë te rastësia, përkatësisht tek mundësia për të përfituar përmes rrugës së shkurtër, për shkak të mungesës së ofertës, si në sektorin publik, ashtu edhe në atë privat. I gjithë ky fenomen përhapet në mënyrë zinxhirore. Numri i të varurve nga kjo epidemi, shkon duke u rritur”, thotë sociologu Pajaziti.
Por, ekspertët e ekonomisë konsiderojnë se vendosja e masave më rigoroze për lojërat e fatit, mund t’i hapë rrugë biznesit gri në këtë lëmi, për faktin se më shumë para deri më tani kanë kaluar përmes kazinove.
Në Maqedoni numërohen më shumë se 500 bastore dhe më shumë se 200 kazino, duke përjashtuar edhe ato ilegale që janë nëpër vendbanime rurale.