Qeveria e Kosovës bëri të ditur lansimin e masës së punësimit për gratë e mbijetuara nga dhuna, përmes së cilës synohet punësimi i tyre. Kryeministri Albin Kurti tha se ekzekutivi do të subvencionojë 70 për qind të pagës për të punësuarat dhe kjo do të vlejë për gjashtë muaj. Sipas Qeverisë, identiteti i grave që aplikojnë, do të ruhet me konfidencialitet të plotë.
“Kur gratë janë në gjendje të sigurojnë jetën financiarisht, ato kanë më shumë mundësi të largohen nga marrëdhënia e dhunshme dhe të fillojnë një jetë të re normale”, tha Kurti.
Me këtë rast, Kurti tha se kjo po i shtohet skemës 'Qeveria për familjet', përmes së cilës deri tani kanë përfituar familjet që nuk e kishin askënd të punësuar.
“Vitin e kaluar, në kuadër të skemës 'Qeveria për familjet' u siguruam që secila familje në Kosovë të ketë një bazë të të ardhurave me qëllim rritjen e mirëqenies shoqërore. Përfituan 2 mijë e 377 familje, të cilat nuk e kishin askënd të punësuar. Kësaj skeme po i shtojmë një veçori të re që ka cak punësimin e të mbijetuarave nga dhuna në familje e kjo bëhet krahas përmirësimit të qasjes në shërbime sociale dhe rritjes së mbështetjes për strehimoret e të mbijetuarave nga dhuna në familje. Nga sot, të gjitha gratë që ishin viktima të dhunës në familje, do të mund të jenë përfituese të kësaj skeme”, tha Kurti.
Kurti ka shpjeguar se gratë duhet të drejtohen në zyrat e punësimit në komunat e tyre përkatëse dhe pas regjistrimit, këshilltarët e punësimit do të sigurohen që ato të ndërmjetësohen në biznese të regjistruara, të cilat ofrojnë pozita të lira të punës.
Ministri i Financave, Hekuran Murati, tha se subvencionimi do të jetë 300 euro në muaj.
“Kemi të bëjmë me një masë që subvencionon 70 për qind të pagës për biznesin që punëson një grua që është viktimë e dhunës në familje, deri në masën 300 euro në muaj subvencioni, paga mund të shkojë edhe më lart. Kjo vlen për 6 muajt e parë”, tha Murati.
Kërkesa për këtë masë ishte bërë nga ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, në kuadër të fushatës “16 ditët e aktivizmit kundër dhunës me bazë gjinore”, që ka nisur më 25 nëntor. Haxhiu tha se shumica e grave që janë të mbijetuara të dhunës në familje, janë të papuna.
“Sfida më e madhe e tyre është mungesa e një vendi të punës, sikurse strehimi. Për shkak të kushteve të rënda financiare detyrohen të kthehen në vendin ku ka ndodhur dhuna”, tha Haxhiu.
Haxhiu tha se me Ligjin për byronë për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme, “pasuritë që konfiskohen do t'u jepen kategorive që kanë më së shumti nevojë dhe të mbijetuarave nga dhuna në familje”.