I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë - Serbi, Mirosllav Lajçak, ka thënë më 5 nëntor se takimi i një nate më parë me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, ka qenë i gjatë dhe i vështirë, por i drejtë.
Sipas tij, palët janë pajtuar që të gjitha marrëveshjet e arritura në Bruksel duhet të zbatohen.
“Llogaris në sjelljen e përgjegjshme të të gjithëve, për të treguar përmbajtje për siguri dhe stabilitet. Dhuna duhet të shmanget”, ka thënë Lajçak përmes një postimi në Twitter.
Ai i ka bërë këto deklarata pak orë pasi pjesëtarët e Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë – do të vendosin nëse do të largohen nga institucionet e Kosovës.
Ky paralajmërim ka ardhur pas vendimit të autoriteteve të Kosovës për suspendimin e drejtorit të Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Nenad Gjuriq, i cili ka refuzuar që të zbatojë vendimin e Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave që kanë targa të lëshuara nga Serbia në RKS - Republika e Kosovës.
Asnjë zyrtar i Qeverisë së Kosovës nuk u është përgjigjur pyetjeve të Radios Evropa e Lirë për të komentuar thirrjet e Listës Serbe për rezistencë dhe për të mbështetur policët që të mos zbatojnë planin për riregjistrim.
Lista Serbe ka një post ministror në Qeverinë e Kosovës, të udhëhequr nga Albin Kurti.
Në Kuvendin e Kosovës kjo parti, që ka mbështetje të madhe nga presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka të dhjetë ulëset e rezervuara për komunitetin serb.
Çfarë parasheh plani për targat?
Qeveria e Kosovës ka nisur më 1 nëntor të zbatojë planin e saj në tri faza për riregjistrimin e makinave me targa të lëshuara nga Serbia.
Faza e parë përfshin qortimin e shoferëve, e dyta parasheh gjobë deri në 150 euro për ata shoferë, dhe e treta targa provuese.
Lista Serbe ka paralajmëruar rezistencë të ashpër qysh në momentin kur do të shqiptohet gjoba e parë lidhur me targat.
Zbatimi i këtij plani pritet të përfundojë më 21 prill dhe, nga ajo datë, në qarkullim do të lejohen vetëm makina me targa RKS.
Çështja e targave ilegale ka shkaktuar tensione në veri të Kosovës verën e kaluar, kur disa serbë lokalë kanë ngritur barrikada në shenjë pakënaqësie me procesin e riregjistrimit.
Për të ulur tensionet, dhe me sugjerimin e komunitetit ndërkombëtar, Qeveria e Kosovës e ka shtyrë zbatimin e vendimit deri më 1 shtator.
Afati për riregjistrim fillimisht ishte planifikuar të skadonte më 31 tetor, mirëpo më pas Qeveria e Kosovës e ka prezantuar planin me tri faza.
Autoritetet në Serbi kërkojnë targa neutrale ndaj statusit të Kosovës.
Kosova dhe Serbia kanë nisur negociatat për normalizimin e marrëdhënieve më 2011, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.
Procesi i negociatave pritet të përfundojë me marrëveshje ligjërisht të detyrueshme.
Ndonëse Kosova deklaron se kjo marrëveshje duhet të përfshijë njohjen e ndërsjellë, Serbia nuk pranon, duke insistuar në “zgjidhje kompromisi”.