Kuvendi i Shqipërisë, me 74 vota për dhe pa praninë e opozitës në sallë, ka rrëzuar për herë të dytë dekretin e presidentit të Shqipërisë, Ilir Meta, për rishqyrtim të projektligjit për Teatrin Kombëtar.
Me rrëzimin për herë të dytë të këtij dekreti, Kuvendi i hapi rrugë ndërtimit të një teatri të ri, duke shembur atë që është në qendër të kryeqytetit.
Ky projektligj, i votuar për herën e tretë në Kuvendin shqiptar, “ka për objekt përcaktimin e procedurës së veçantë për negociimin dhe lidhjen e kontratës me objekt realizimin e projektit të zhvillimit të zonës së Teatrit Kombëtar, duke përfshirë projektimin, ndërtimin dhe dorëzimin e ndërtesës së re të Teatrit Kombëtar”.
Në nenin dy të këtij ligji, thuhet se “Qëllimi i këtij ligji është realizimi i projektit për zhvillimin e një zone urbane në qytetin e Tiranës dhe ndërtimin e godinës së re të Teatrit Kombëtar me partner privat”.
Ministrja e Kulturës së Shqipërisë, Mirela Kumbaro, në një postim në rrjetin e saj Twitter ka cituar një deklaratë të shkrimtarit Ismajl Kadare, ku thuhet se Shqipëria është i vetmi vend në Evropë, që nuk ka ende një ngrehinë teatri, të denjë për këtë emër.
Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit, enjten u ka kërkuar deputetëve ta pranojnë dekretin e presidentit dhe të tërhiqen nga Ligji për shembjen.
Regjisori Edmond Budina, nga kjo Aleancë, tha se deputetët janë të informuar dhe “po bëhen palë në vjedhje kundër interesit publik dhe në shkelje të Kushtetutës”.
“E gjithë nisma e Qeverisë për prishjen e Teatrit është një nga shkeljet më të qarta të Kushtetutës së vendit tonë. Ajo synon të grabisë tokë publike e private në mes të kryeqytetit për t’ia dhuruar klientëve të kryeministrit në një kohë kur Gjykata Kushtetuese nuk ekziston”, tha Budina.
Ai shtoi se kjo situatë është shpjeguar në mënyrë të vazhdueshme qartë, jo vetëm nga aleanca dheshkrimet e panumërta kundër shembjes së teatrit, por edhe nga dy dekretet e detajuara të presidentit.
“Sido që të votojnë sot deputetët, me apo pa votën e deputetëve, Teatri nuk do të shembet”, theksoi Budina.
Shumë qytetarë, artistë, aktivistë dhe shoqëri civile kanë kundërshtuar shembjen e Teatrit ekzistues dhe ndërtimi i një të riu, me anë të protestave që zgjatën më shumë se një muaj gjatë verës së këtij viti, deri kur presidenti Meta e riktheu për rishqyrtim në Kuvend, pas një peticioni që ata i dërguan.
Zyrtarët në Shqipëri kanë thënë vazhdimisht se ndërtesa e Teatrit është jashtë kushteve teknike për veprimtari normale artistike. Mirëpo, qytetarët që e kanë kundërshtuar shembjen e tij, kanë thënë vazhdimisht se ky teatër ka vlerë kulturore pikërisht për shkak të vjetërsisë së tij.
Ndërtesa e Teatrit Kombëtar u ndërtua në vitin 1939 dhe vlerësohet si një nga qendrat më të rëndësishme historike kulturore e Shqipërisë.
Facebook Forum