Ndërlidhjet

Kuvendi miraton në lexim të dytë projektligjin për rritjen e pagës minimale


Protesta e punëtorëve në Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve në Prishtinë, 1 maj 2022
Protesta e punëtorëve në Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve në Prishtinë, 1 maj 2022

Kuvendi i Kosovës ka miratuar në lexim të dytë Projektligjin për pagën minimale, që parashikon që kjo pagë të rritet në 264 euro bruto.

Në seancën plenare të 13 korrikut, 60 deputetë votuan dhe një abstenoi. Seanca është bojkotuar nga partitë opozitare.

Për të hyrë në fuqi, projektligji pas miratimit në Kuvend duhet të nënshkruhet nga presidentja e vendit.

Paga minimale në Kosovë sillet nga 130 deri në 170 euro.

Kjo vlerë, e pandryshuar qysh në vitin 2011, është më e ulëta në Evropë, sipas Agjencisë Evropiane të Statistikave, Eurostat.

Projektligji që kaloi në lexim të dytë nuk parasheh lidhjen e pagës minimale me pensionin që marrin veteranët e luftës, ashtu siç ka qenë deri më tani. Kjo nënkupton që veteranët do të vazhdojnë të marrin pension në vlerë prej 170 eurosh. Për këtë gjë, ata kanë protestuar disa herë.

Pas votimit në Kuvend, ushtruesi i detyrës të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Faton Klinaku, ka kritikuar këtë vendim të deputetëve.

“Siç po e marr vesh nga mediat, pasi u largua opozita nga salla, në terr, deputetët e këtij pushteti të paskrupullt, e kanë kaluar ligjin për pagën minimale duke i hequr veteranët e luftës së UÇK-së. Ne do të takohemi si organe drejtuese dhe do të vendosim për hapat që do t'i ndërmarrim”, shkroi ai në Facebook.

Në Kosovë, mbi 80 mijë të punësuar në sektorin publik marrin pagë mesatare bruto 604 euro, ndërsa paga mesatare bruto në sektorin privat është 473 euro.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG