Ndërlidhjet

Kuvendi e ratifikon marrëveshjen me Danimarkën për burgjet


Kuvendi i Kosovës. (Fotografi nga arkivi)
Kuvendi i Kosovës. (Fotografi nga arkivi)

Kuvendi i Kosovës e ka ratifikuar të enjten një marrëveshje për t’ia lëshuar me qira Danimarkës një burg në qytetin jugor të vendit, Gjilan, në të cilin pritet t’i kryejnë dënimet rreth 300 të burgosur danezë.

Në një seancë me procedurë të përshpejtuar, Kuvendi e miratoi Projektligjin për marrëveshjen me Danimarkën me 86 vota për, 7 kundër dhe asnjë abstenim.

Kosova do t’ia lëshojë Danimarkës me qira rreth 30 qeli të burgut në Gjilan, rreth 50 kilometra larg kryeqytetit Prishtinë, në përputhje me marrëveshjen 10-vjeçare mes dy qeverive, e cila u nënshkrua në prill dhe në maj 2022.

Sipas planit, Kosova do t’i përfitojë rreth 200 milionë euro nga kjo marrëveshje, të cilat do t’i shpenzojë për Shërbimin Korrektues të vendit dhe për energjinë e ripërtërishme.

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli - e cila e paraqiti Projektligjin para deputetëve për votim - tha se traktati i forcon marrëdhëniet mes Kosovës dhe Danimarkës.

“Qëllimi është forcimi i mëtutjeshëm i marrëdhënieve ekzistuese të bashkëpunimit mes Kosovës dhe Danimarkës, duke marrë parasysh zhvillimet pozitive në sistemin e shërbimit korrektues në Republikën e Kosovës, si dhe përfitimet që Republika e Kosovës do t'i ketë nga ky traktat”, tha Rizvanolli.

Danimarka nuk mund të dërgojë të burgosur të dënuar për terrorizëm dhe krime lufte, e as të burgosur të diagnostikuar me çrregullime të rënda mendore, sipas planit.

Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT), e konsideroi "të ngutshëm" ratifikimin e kësaj marrëveshjeje.

Kjo qendër shprehu shqetësim se për këtë marrëveshje nuk ka pasur një debat publik, por po ashtu tha se sipas marrëveshjes, të burgosurit në Burgun e Gjilanit - afër 200 të burgosur - tani duhet të zhvendosen në burgje tjera.

"Sistemi Korrektues në Kosovë momentalisht nuk ka hapësira të veçanta për vendosjen e të paraburgosurve, qendrat e paraburgimit në Prishtinë, Pejë, Prizren dhe Mitrovicë janë pothuajse të mbushura me të paraburgosur dhe aktualisht nuk ka vende të lira. Andaj, zhvendosja e të paraburgosurve nga Burgu i Gjilanit, duhet të bëhet me kujdes të veçantë në mënyrë që mos të bjerë standardi i ndërtuar ndër vite për vendosjen e të paraburgosurve", tha QKRMT përmes një postimi në Facebook.

Kjo qendër kërkoi nga Ministria e Drejtësisë që të bëhet zgjidhja e duhur për të burgosurit që aktualisht gjenden në burgun e Gjilanit.

“QKRMT gjithashtu kërkon nga institucionet që organizatave të shoqërisë civile t’u mundësohet monitorimi i të drejtave të njeriut në burgun e Gjilanit, ku do të transferohen të burgosurit nga Danimarka me qëllim garantimin e aplikimit të standardeve dhe rregullave ndërkombëtare për personat e privuar nga liria”, tha kjo qendër.

Kosova dhe Danimarka e nënshkruan letër-pëlqim për dërgimin e 300 të burgosurve nga shteti danez në Kosovë në dhjetor të vitit 2021. Në prill 2022, dokumenti u shndërrua në Traktat, por Kosova nuk arriti ta ratifikojë atë deri më 23 maj 2024.

Javën e kaluar, Kuvendi dështoi ta kalojë Projektligjin e parë për këtë marrëveshje dhe Qeveria e aprovoi menjëherë një Projektligj të njëjtë dhe dërgoi në Kuvend, i cili e ratifikoi atë përfundimisht të enjten.

Me ligjin në Kosovë, marrëveshjet ndërkombëtare mund të ratifikohen vetëm me 80 vota për, apo me dy të tretat e deputetëve.

Çfarë parasheh Traktati?

Traktati ka kohëzgjatje prej dhjetë vjetësh. Aty parashihet që Danimarka të marrë në shfrytëzim qeli, të vetme dhe të përbashkëta, në burgun e Gjilanit – pjesa lindore e Kosovës.

Në këmbim të kësaj, Kosova parashihet t’i fitojë mbi 200 milionë euro.

Nga shuma 200 milionë euro - sa parashihet të përfitonte Kosova – 30 milionë planifikohen të shkojnë për energji të ripërtrishme, ndërsa pjesa tjetër për investime në Shërbimin Korrektues të Kosovës.

Danimarka, me hyrjen në fuqi të marrëveshjes, do t’i dorëzojë Kosovës një tarifë fillestare prej pesë milionë eurosh.

Ndërsa, pagesa do të bëhet në norma tremujore, gjatë 12 muajve të parë të shfrytëzimit të burgut, në pajtim me numrin e të burgosurve që objekti mund t’i strehojë.

Sipas Traktatit, Danimarka nuk do të dërgojë të burgosur të dënuar për vepra terroriste, të burgosur të dënuar për krime të luftës dhe të burgosur të diagnostikuar me çrregullime të rënda mendore, të cilët kanë nevojë për kujdes mjekësor jashtë burgut.

Udhëheqësit dhe gardianët në burgun e Gjilanit do të jenë nga shteti i Danimarkës dhe Shërbimi Korrektues i Kosovës.

Autoritetet në Danimarkë kanë thënë më herët se kapacitetet e burgjeve të tyre janë mbushur 100%, pasi numri i të burgosurve është rritur për gati 20% nga viti 2015.

Ekspertë të sigurisë në Kosovë kanë thënë më herët për REL-in se nuk ka vend për t’u shqetësuar për situatën e sigurisë nga ardhja e të burgosurve nga Danimarka. Por, përfaqësues të disa organizatave joqeveritare kanë thënë se ky transferim mund të ndikojë në standardin e të burgosurve lokalë.

XS
SM
MD
LG