Ndërlidhjet

Kryeministri i ri i Kosovës, Avdullah Hoti.
Kryeministri i ri i Kosovës, Avdullah Hoti.

Votohet Qeveria Hoti, Kurti e quan të paligjshme

  • Deputetët e Kuvendit të Kosovës, me 61 vota për, kanë votuar qeverinë e re të udhëhequr nga Avdullah Hoti.
  • Presidenti Thaçi kishte mandatuar Avdullah Hotin nga Lidhja Demokratike e Kosovës për kryeministër të Kosovës, pasi përmes mocionit të mosbesimit ishte rrëzuar Qeveria Kurti.
  • Lëvizja Vetëvendosje, fituese e zgjedhjeve të 6 tetorit, kishte dërguar në Gjykatën Kushtetuese dekretin e presidentit.
  • Më 28 maj, Gjykata Kushtetuese i dha të drejtë presidentit Thaçi për mandatarin e qeverisë së re.
  • Lëvizja Vetëvendosje ka kundërshtuar formimin e qeverisë së re dhe ka kërkuar zgjedhje të reja.
  • Shkarkimi i ministrit të Brendshëm Agim Veliu dhe heqja e tarifës 100 % ndaj Serbisë pa reciprocitet, u bënë shkaktare të prishjes së koalicionit LVV-LDK pas më pak se 50 ditësh.
16:22 3.6.2020

Hoti: Nuk do të lejojmë ndryshim të kufijve

Kryeministri i ri i Kosovës, Avdullah Hoti, gjatë ekspozesë të prezantuar para deputetëve të kuvendit, tha se qeveria e tij nuk do të lejojë asnjë lëvizje të kufijve, gjatë procesit të bisedimeve me Serbinë.

“Autoritetet e Kosovës do ta respektojnë në plotësi Kushtetutën e Kosovës gjatë këtyre bisedimeve. Dialogu do të bazohet në objektiva të qarta që duhet të arrihet nga kjo marrëveshje përfundimtare pastaj çështjeve që duhet të dialogohen si dhe raportimi dhe transparenca gjatë këtij procesi”, tha Hoti.

“Kjo qeveri do të promovojë dhe mbrojë sovranitetin e vendit si një tërësi e pandashme”, tha ai.

Në këtë fazë, kryeministri i Hoti tha se është shumë i rëndësishëm përmirësimi i raporteve me partnerët strategjikë të Kosovës, veçanërisht Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Ne nuk kemi dilema të llojit me Amerikën apo më dikë tjetër. Për ne partneriteti me SHBA-në nuk ka alternativë. Prandaj ne do ta kthejmë zotimin tonë 30-vjeçar që raportet tona me SHBA-në janë raporte të një miqësie speciale dhe të përhershme”, theksoi Hoti.

Në ekspozenë e prezantuar, Hoti foli edhe për reforma në ekonomi, arsim, shëndetësi, siguri dhe drejtësi duke mbështetur edhe procesin e vettingut në drejtësi.

15:28 3.6.2020

BE-ja mirëpret qeverinë e re

Bashkimi Evropian ka uruar votimin e qeverisë së re të Kosovës të udhëhequr nga kryeministri Avdullah Hoti, duke thënë se mezi pret të bashkëpunojë në përparimin e marrëdhënieve ndërmjet BE-së dhe Kosovës.

“Një rifillim i shpejtë i dialogut Beograd-Prishtinë i lehtësuar nga BE-ja, me mbështetjen e përfaqësuesit të posaçëm të BE-së, Miroslav Lajçak, është thelbësor për të arritur një normalizim gjithëpërfshirës të marrëdhënieve me Serbinë. Dialogu i lehtësuar nga BE-ja është mënyra e vetme për ta kthyer të ardhmen evropiane të Kosovës në një realitet për qytetarët e saj”, thuhet në komunikatën e përbashkët të shefit për Politikë të Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell dhe Komisionarit të Bashkimit Evropian për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Varhelyi.

Dy zyrtarët e lartë të BE-së thonë se pandemia e koronavirusit do të mbetet një sfidë e përbashkët për të ardhmen.

“BE-ja do të vazhdojë të qëndrojë pranë Kosovës dhe njerëzve të saj. Ne gjithashtu duam ta shohim Kosovën përpara në rrugën e saj evropiane. Kjo do të kërkojë përpjekje për reforma si dhe fuqizimin e sundimit të ligjit, veçanërisht luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”, thuhet në komunikatë.

Qeveria e re e Kosovës me kryeministër, Avdullah Hotin, u votua të mërkurën nga Kuvendi i Kosovës, me 61 vota për, 24 kundër dhe një abstenim.

Kryeministri Hoti, ka thënë më parë se qeveria e drejtuar nga ai, do të heqë të gjitha pengesat që e bllokojnë rifillimin e dialogut për normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është ndërprerë në fund të vitit 2018, pasi qeveria e ish-kryeministrit, Ramush Haradinaj, vendosi tarifën 100 për qind për mallrat e Serbisë dhe Bosnje dhe Hercegovinës.

Më pas, qeveria e drejtuar nga ish-kryeministri, Albin Kurti, e shfuqizoi vendimin për tarifën, duke e zëvëndësuar atë me masat e reciprocitetit ndaj Serbisë.

Heqjen e masës së reciprocitetit e kanë kërkuar edhe Shtetet e Bashkuara.

15:00 3.6.2020

Vjosa Osmani deklarohet kundër qeverisë

Pas përfundimit të seancës së Kuvendit të Kosovës, kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani duke folur për refuzimin e saj që të drejtojë seancën në të cilën u votua qeveria e drejtuar nga Avdullah Hoti, tha se kjo qeveri nuk përfaqëson vullnetin qytetar.

“Në radhë të parë një qeveri e cila në tërësi varet nga votat e Listës Serbe do të thotë nga Beogradi dhe së cilës votën e 61 ia siguroi presidenti Thaçi në kundërshtim me rolin e tij kushtetues asnjëherë nuk mund të jetë përfaqësuese e vullnetit qytetar”, deklaroi Osmani.

Osmani nuk bëri të ditur nëse do të vazhdojë që të mbajë pozitën e kryetares së Kuvendit të Kosovës.

Në vazhdimësi Osmani bëri të ditur se ishte në favor të formimit të një qeverie teknike me mandat 6 deri në 9 muaj dhe shkuarje të vendit në zgjedhje pas pandemisë.

Qeveria Hoti u votua në Kuvendin e Kosovës me 61 vota për 24 kundër dhe një abstenim.

Votë vendimtare ishte ajo e deputetit të Nismës Socialdemokrate, Haxhi Shala, i cili në fillim të seancës tha se do të vinte qeverinë pasi ia kishin ndërruar mendjen presidenti Hashim Thaçi dhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, të cilët sic tha ai, e kishin vizituar në shtëpinë e tij.

14:42 3.6.2020

Kush është Avdullah Hoti?

Avdullah Hoti është bërë kryeministri i tetë që nga mbarimi i luftës në Kosovë, në vitin 1999.

I lindur në vitin 1976, në një fshat në afërsi të Rahovecit, Hoti ka përfunduar Fakultetin Ekonomik në Universitetin e Prishtinës.

Studimet e Magjistraturës dhe të Doktoratës për ekonomi i ka kryer mes viteve 2001 dhe 2007, në Staffordshire University në Britani të Madhe.

Që nga viti 1998 ka ligjëruar në Universitetin e Prishtinës, njëherë si asistent dhe nga viti 2012 si profesor në drejtimet bachelor, master dhe doktoraturë.

Kuvendi voton Qeverinë Hoti

Në vitet 2010-2013 ka qenë nënkryetar i Komunës së Prishtinës, derisa kryetar ishte Isa Mustafa.

Në vitin 2014, Hoti është zgjedhur për herë të parë deputet i Kuvendit të Kosovës.

Ai e ka lënë postin e deputetit dhe është bërë ministër i Financave në Qeverinë e udhëhequr nga lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe miku i tij më i afërt brenda kësaj partie, Isa Mustafa.

Në vitin 2017, ai ka qenë i nominuar për kryeministër në listën zgjedhore, por LDK-ja nuk i ka fituar zgjedhjet dhe partia e tij ka shkuar në opozitë.

Në zgjedhjet e vitit 2019, partia e tij ka dalë e dyta dhe ai ishte personi i dymbëdhjetë më i votuar në zgjedhje.

Për më pak se dy muaj, Hoti ka shërbyer si zëvendëskryeministër në qeverinë e Albin Kurtit.

Ai është shkarkuar nga Kurti, kur partia e Hotit ka udhëhequr me sukses mocionin e mosbesimit për rrëzimin e qeverisë, pas 51 ditësh në pushtet.

Hoti është i martuar dhe ka dy fëmijë.

Më 3 qershor, 2020, Hoti është zgjedhur kryeministër me 61 vota në Kuvendin e Kosovës që ka 120 deputetë.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG