Ndërlidhjet

Miratohet në parim Projektligji për ndarjet buxhetore për vitin 2024


Kuvendi i Kosovës. Fotografi nga arkivi.
Kuvendi i Kosovës. Fotografi nga arkivi.

Pas një diskutimi disa orësh, Kuvendi i Kosovës miratoi në parim Projektligjin për ndarjet buxhetore për vitin 2024.

Për këtë projektligj votuan 62 deputetë. Në votim nuk morën pjesë deputetët e partive opozitare, përkatësisht të Lidhjes Demokratike të Kosovës, ata të Partisë Demokratike të Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

Projektligji është miratuar nga Qeveria e Kosovës më 31 tetor, ndërsa shuma e paraparë buxhetore kap vlerën e mbi 3.3 miliardë eurove - nga 3.2 miliardë sa ishte në këtë vit.

Nga kjo shumë, mbi 1 miliard euro parashihet të shkojnë për subvencione dhe transfere, mbi 850 milionë euro për shpenzime kapitale, mbi 800 milionë euro për paga dhe shtesa dhe afër 500 milionë euro për mallra dhe shpenzime.

Pesë institucionet me buxhetin më të madh në vitin 2024 pritet të jenë: Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve me 931.025.963 euro, Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës me 265.445.995 euro, Ministria e Punëve të Brendshme me 216.523.467 euro, Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës me 174.387.768 euro dhe Ministria e Mbrojtjes me 153.049.911 euro.

Sipas Qeverisë së Kosovës, buxheti do të rritet në disa sektorë vitin e ardhshëm, përfshirë: sigurinë, shëndetësinë, ekonominë dhe arsimin.

Buxheti i vitit 2024 parasheh edhe rritjen e koeficientit të pagave nga 105 euro - sa është aktualisht - në 110.

Ndër vite, një pjesë e madhe e buxhetit të shtetit ka shkuar për sektorin e sigurisë.

Çfarë u tha në Kuvend?

“Buxheti i vitit 2024 do të jetë prioritet në programin e Qeverisë për nevojat e qytetarëve, për një ekonomi të fortë me më shumë vende të punës, për shëndetësi gjithëpërfshirëse me shërbime më të mira, për arsim të zhvilluar e sundim të ligjit”, tha para deputetëve kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Buxheti i komunave nga 547 milionë euro sa ishte në vitin 2021, do të rritet në 654 milionë euro në vitin 2024, tha Kurti, duke aluduar në periudhën e qeverisjes së tij.

Por, deputetët e partive opozitare e kritikuan buxhetin e paraparë për vitin e ardhshëm.

“Si i tillë, duket më i madh në shifër, por, në një situatë krize jo vetëm ekonomike, por edhe të mungesës së lidershipit, kur gjithçka është më e shtrenjtë, ai i lë më të varfër qytetarët e Kosovës”, tha Mërgim Lushtaku nga Partia Demokratike e Kosovës.

“Ky buxhet ka shpërputhje me zotimet që i ka Qeveria, ka shpërputhje me prioritetet ekonomike dhe ka shpërputhje me nevojat emergjente që i kanë qytetarët”, tha deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se rritja e buxhetit për më shumë se 100 milionë euro vitin e ardhshëm, është “zvogëlim real i buxhetit” kur kihet parasysh shkalla e inflacionit.

Ai rekomandoi që në buxhetin e vitit 2024 të ketë një pako për të rinjtë e Kosovës që, siç tha, të mos e lëshojnë vendin nga 1 janari, kur edhe pritet liberalizimi i vizave.

Vitin e kaluar Kosova e ka mbyllur me një normë mesatare inflacioni prej 11.6 për qind, ndërsa këtë vit ajo ka qenë në rënie. Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, norma e inflacionit në tetor ka qenë 3.3 për qind, në shtator 4.2 për qind, në gusht 3.2 për qind.

Çfarë thonë ekspertët për buxhetin?

Eksperti i çështjeve ekonomike, Haki Shatri, i cili ka shërbyer edhe si ministër i Ekonomisë dhe Financave, thotë se buxheti i vitit 2024 nuk është buxhet zhvillimor.

“Është buxheti më i varfër që propozohet për shqyrtim dhe miratim. Rritja prej 102 milionë eurosh në kushtet e inflacionit, që në këtë vit është 5 për qind, nuk është rritje, është zvogëlim real i buxhetit në krahasim me nevojat që i ka vendi. As përafërsisht nuk i plotëson nevojat”, thotë Shatri për Radion Evropa e Lirë.

Ky buxhet, sipas tij, nuk mund të arrijë as parashikimin e Qeverisë së Kosovës për rritje ekonomike deri në 4 për qind.

“Nuk siguron as stabilitet social për kategoritë në nevojë. Nuk siguron rritje të mirëqenies së qytetarëve e as nivel të njëjtë, pasi që rritja e çmimeve e ka bërë të vetën”, thotë Shatri.

Paga mesatare në Kosovë është 520 euro, ndërsa minimalja sillet nga 130 deri në 170 euro.

Mjetet për buxhetin mblidhen nga tatimet dhe taksat. Institucionet përgjegjëse për mbledhjen e tyre janë Administrata Tatimore dhe Dogana e Kosovës.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG