Gjykata Kushtetuese e Maqedonisë së Veriut njoftoi të mërkurën se ka nisur procedurën për vlerësimin e kushtetutshmërisë së një vendimi të ministrit të Drejtësisë, Krenar Lloga, që certifikatat e lindjes të kenë edhe përmbajtjen e përkatësisë etnike të qytetarëve.
Udhëzimi me përmbajtjen etnike të dokumenteve të librit të gjendjes civile ishte nënshkruar nga ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga, më 29 maj.
Ministri Lloga tha se vendimin e kishte bazuar në një ligj të miratuar në vitin 1995 ku parashihej që në certifikatat e gjendjes civile të shkruhej edhe përkatësia etnike.
Por, vendimi i tij ka shkaktuar reagime të shumë në mesin e disa partive politike maqedonase, shoqatave, ekspertëve juridikë dhe ish-personaliteteve politike.
Partia “E Majta” ka nisur procedurën në Gjykatën Kushtetuese, por ky organ gjyqësor me vetiniciativë ka hapur lëndë për këtë rast dhe fillimisht ka vendosur pezullimin e vendimit të ministrit Lloga.
Gjykata Kushtetuese me shumicës votash ka konstatuar shkelje ligjore lidhur me publikimin me vonesë të vendimit në Gazetën Zyrtare.
Vendimet shpallen shtatë ditë pas miratimit, por në rastin konkret sipas Kushtetueses, ai është shpallur pas tejkalimit të afatit ligjor.
Duke komentuar vendimin e Gjykatës për pezullimin e vendimit për shkak të shkeljes së afateve gjatë publikimit në Gazetën Zyrtare, ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga, tha se Kushtetuesja ka vepruar me “standarde të dyfishta”, pasi, sipas tij, shumë ligje e vendime tjera janë në fuqi pavarësisht shkeljeve të tilla.
Ai prezantoi dhjetëra vendime, të cilat në dy-tre muajt e fundit janë shpallur në Gazetën Zyrtare jashtë afateve ligjore, andaj edhe ato tha se do t’i dorëzoj për interpretim në Gjykatën Kushtetuese.
“Jam i lumtur që ndodhi kjo me udhëzimin që kam nënshkruar unë pasi dalin në pah edhe shumë parregullsi të tjera që janë bërë ndër muaj dhe vite ku shihet se është shkelur afati kushtetues. Ndërkohë paralajmëroj se do të ketë një udhëzim plotësisht të ri, ku do të përsëritet e njëjta gjë dhe do të publikohet në Gazetën Zyrtare. Do të mbetet në fuqi edhe ajo pjesa e udhëzimit që nuk ishte pjesë e diskutimit, por vetëm pjesa formale e jo edhe ajo përmbajtjesore”, deklaroi Lloga.
Ndërkohë, reagimet lidhur me përkatësinë etnike në certifikatat e lindjes kanë vazhduar edhe në mesin e ekspertëve me kërkesën për shfuqizimin e vendimit të ministrit të Drejtësisë.
Ish-ministrja e Drejtësisë, Renata Deskoska, tha se Ligji i vitit 1995, në të cilin thirret ministri Lloga, parasheh përkatësinë e etnike vetëm në librin e gjendjes civile, por jo edhe në certifikata.
“Ligji për gjendjen civile, i cili u miratua në vitin 1995, përcakton që të dhënat për shtetësinë e prindërve duhet të mbahen në gjendjen civile. Udhëzuesi i parë për zbatimin e ligjit është miratuar në vitin 2010 dhe parashikon që në librin e gjendjes civile të qëndrojë rubrika për etninë, por kjo kolonë nuk parashikohet në formularin e ekstraktit të certifikatës së lindjes. Me këtë respektohet ligji, pa shkëmbyer të dhëna të ndjeshme para një rrethi më të gjerë njerëzish, ku do të përdoret certifikata”, tha Deskoska në një reagim në Facebook.
Nga VMRO DPMNE-ja opozitare kanë akuzuar Ministrinë e Drejtësisë për shkelje të Kushtetutës.
“Ajo të cilën ju e bëni është në kundërshtim me Kushtetutën, në kundërshtim me Marrëveshjen e Ohrit, por edhe në kundërshtim me praktikën evropiane. Duhet të ketë kod komunikimi, ndërsa komplekset janë punë e juaja”, tha deputetja e VMRO-së, Gordana Siljanovska.
- Sa shqiptarë duhet të ketë në institucionet maqedonase?
- Etnia në letërnjoftime nxit ndarje apo avancon pozitën e shqiptarëve?
Ministri Lloga, veç tjerash, vendimin e arsyetoi me “nevojën për të shmangur keqpërdorimet mbi bazën etnike gjatë konkurseve për punësime në institucionet shtetërore dhe publike”.
Gjatë konkurseve për punësime që shpallen nga ministritë, drejtoritë, agjencitë shtetërore, fondet e ndërmarrjet tjera, aplikohet një mekanizëm elektronik i njohur si “balancues”, i cili përcakton se ata që punësohen cilës bashkësi etnike duhet t’i përkasin.
Deklarimet e rreme të përkatësisë etnike, kohë më parë i ka konfirmuar edhe kryeministri Dimitar Kovaçevski, duke theksuar nevojën e gjetjes së mënyrave për t’i shmangur keqpërdorimet.