Ndërlidhjet

Kush do ta udhëheqë dialogun me Serbinë?


Presidenti Hashim Thaçi gjatë një takimi me bashkëkryesuesit e Ekipit negociator, Shpend Ahmeti dhe Fatmir Limaj.
Presidenti Hashim Thaçi gjatë një takimi me bashkëkryesuesit e Ekipit negociator, Shpend Ahmeti dhe Fatmir Limaj.

Me fillimin e vitit të ri kalendarik, do të nisë edhe një fazë tjetër e procesit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Kosova ka formuar edhe një Ekip negociator për dialogun me Serbinë, për fazën finale të këtij procesi të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian. Dialogu ndërmjet dy vendeve, deri më tani është udhëhequr nga presidenti Hashim Thaçi.

Jeta Krasniqi, nga Instituti Demokratik Kosovës (KDI), thotë për Radion Evropa e Lirë, se nuk janë qartësuar mirë kompetencat se kush do ta udhëheqë delegacionin e Kosovës.

Sipas saj, pavarësisht se në ligjin e miratuar nga Qeveria e Kosovës, thuhet që delegacioni shtetëror është ai që flet në emër të Kosovës, i cili merr vendimet, gjithsesi presidenti i ka kompetencat e tij kushtetuese dhe me këtë ligj nuk mund të ndryshohet hierarkia institucionale.

“Tani as rezoluta, e as ky projektligj nuk është se e përcaktojnë qartazi se kush është duke udhëhequr me procesin e dialogut. Por, ajo çka ne mund të konkludojmë, është që do të ketë një ekip të udhëhequr nga presidenti Thaçi, i cili do të shkojë dhe do të bisedojë në kuadër të këtij procesi, në emër të Kosovës”, thotë Krasniqi.

Kurse, drejtori i organizatës Demokraci për Zhvillim (D4D), Shpend Emini, mendon se themelimi i Ekipit negociator, është vetëm një veprim simbolik.

Takimi i liderëve dhe anëtarëve të ekipit negociator me Serbinë, 26 dhjetor 2018.
Takimi i liderëve dhe anëtarëve të ekipit negociator me Serbinë, 26 dhjetor 2018.

Emini thotë për Radion Evropa e Lirë se mbetet të shihet nëse roli i këtij ekipi do të jetë bashkë-prirës në dialog, apo do të jetë si trup këshillëdhënës i presidentit.

“Mendoj që një moskoordinim do të vazhdojë mes Ekipit rreth çështjes së dialogut, pasi të dyja palët, në këtë rast partitë e përfaqësuara në Kuvend dhe presidenti, kanë mendime të ndryshme sa i përket marrëveshjes finale. Në këto rrethana, mendoj që ekziston rreziku i ndikimit të presidentit në delegacion”, thotë Emini.

Roli i presidentit Thaçi dhe homologut të tij serb, Vuçiq, duket i pashmangshëm edhe në vazhdimin e këtij procesi, sipas Jeta Krasniqit nga KDI. Ajo thotë se Thaçi dhe Vuçiq, do të mund të jenë nënshkruesit e marrëveshjes finale mes dy vendeve.

“Nëse e shohim se si është zhvilluar deri më tani dialogu me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, është zhvilluar në nivel të presidentëve dhe është më se e pritshme së nëse është në nivel të presidentëve të dyja palët, edhe nënshkrimet mund të bëhen nga udhëheqësit më të lartë të delegacioneve, në këtë rast i bie që të jenë presidentët e të dyja vendeve”, thekson Krasniqi.

Ndërsa, drejtori i D4D-së, Shpend Emini, thotë se Hashim Thaçi dhe Aleksandar Vuçiq, do të vazhdojnë të kenë rolin kryesor dhe udhëheqës të procesit drejt një marrëveshje finale.

“Mbesim tek ajo që do të ketë një marrëveshje finale me Serbinë. Kjo dëshirë është parë së fundi edhe në letrën e presidentit (të SHBA-së, Donald) Trump dërguar të dy liderëve për pritjen e një marrëveshje dhe mirëpritjen e të dy liderëve në Shtëpinë e Bardhë në Uashington, që të nënshkruajnë marrëveshjen finale”, thotë Emini.

Tetë janari i vitit të ardhshëm, është data kur ekipi negociator i Kosovës, i bashkë-udhëhequr nga zëvendëskryeministri Fatmir Limaj dhe kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, do të udhëtojnë drejt Brukselit, për t’u takuar me autoritetet e BE-së.

Ndryshe, ky ekip është bërë pa mbështetjen e dy partive më të mëdha opozitare në vend, Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjes Vetëvendosje. Mungesa e anëtarëve të dy partive më të mëdha opozitare në Kosovë, nga njohës të çështjeve politike, është parë si pengesë në një balancë politike në këtë ekip.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG