Ndërlidhjet

Kurti optimist për organizimin e zgjedhjeve në veri


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë një seance në Kuvendin e Kosovës. Fotografi nga arkivi.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë një seance në Kuvendin e Kosovës. Fotografi nga arkivi.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se institucionet janë duke bërë të gjitha përgatitjet për organizmin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme, më 23 prill, në katër komunat në veri të Kosovës: Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq.

I pyetur nga deputetët e opozitës në seancën e Kuvendit të Kosovës, Kurti, tha se janë ndarë mjetet e nevojshme për këtë proces dhe se askush nuk duhet dhe nuk mund të cenojë të drejtën e qytetarëve për të zhvilluar një proces të rregullt zgjedhor.

“Pluralizmi politik dhe mbi të gjitha e drejta e votimit lirshëm e papengesa të komunitetit serb janë të domosdoshme. Kushdo që vijon ta cenojë këtë të drejtë themelore nuk ka çfarë të pres tjetër përveçse përgjigjen e institucioneve tona me forcën e ligjit”, tha Kurti.

Ai tha se për organizimin e zgjedhjeve është ndarë buxheti i nevojshëm dhe se institucionet e tjera të përfshira në këtë proces janë duke bërë përgatitjet e nevojshme.

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ariana Musliu – Shoshi, tha se Komisioni Qendror Zgjedhor i Kosovës është duke u përballur me probleme të shumta në procesin e organizmit të zgjedhjeve.

Ajo përmendi bartjen e materialeve zgjedhore, pamundësinë e shfrytëzimit të qendrave të votimit si dhe mungesën e sigurisë si sfidat kryesore me të cilat siç tha ajo, janë duke u përballur stafi i KQZ-së.

Kurti pranoi se situata e sigurisë në veri është problematike porse theksoi se institucionet do ta kryejnë punën e tyre.

Dje, organizata joqeveritare Demokracia në Veprim (DnV), tha se rrethanat aktuale, “nuk mundësojnë organizimin dhe mbajtjen e zgjedhjeve në veri të Kosovës”, në përputhje me standardet për zgjedhje të lira. Ata thanë se situata në këto komuna është e brishtë.

Kryetarët e katër komunave veriore të Kosovës si dhe anëtarët e Kuvendeve komunale atje dhanë dorëheqje nga pozitat e tyre vitin e kaluar si kundërshtim ndaj vendimit të qeverisë së Kosovës për largimin e targave ilegale dhe zëvendësimin e tyre me targa legale ‘RKS’.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme në këto komuna ishte paraparë të mbaheshin me 18 dhjetor të vitit të kaluar por institucionet e Kosovës u detyruan t’i anulojnë ato për shkak se grupe qytetarësh atje, shkaktuan incidente gjatë fazës së përgatitjeve.

Grupe të maskuara dëmtuan zyrat e Komisioneve Komunale Zgjedhore në Veri.

Kundër organizimit të këtyre zgjedhjeve aktualisht është subjekti më i madh politik, Lista Serbe, parti kjo që nuk ka aplikuar në KQZ për të garuar në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 23 prillit.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG