Ndërlidhjet

Kurti viziton policët në veri të Kosovës


Një pjesëtar i Policisë së Kosovës në Mitrovicë të Veriut.
Një pjesëtar i Policisë së Kosovës në Mitrovicë të Veriut.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, me rastin e Festës së Kurban Bajramit, vizitoi njësitet policore në veri të Kosovës.

I shoqëruar nga ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, dhe zëvendësi i tij, Blerim Gashani, Kurti ndaloi në vendbanimin multietnik, Kroi i Vitakut, që gjendet në komunën e Mitrovicës së Veriut.

“Përgatitja e lartë profesionale është garanci për zbatimin e ligjit dhe për sigurinë si e mirë publike, që u ofrohet të gjithë qytetarëve pa dallim”, shkroi Kurti në Facebook.

Zëvendëskomandanti i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut tha për Radion Evropa e Lirë se prania e shtuar e policisë së Kosovës në veri, nuk ka të bëjë me vizitën e Kurtit, por se është pjesë e një plani të paralajmëruar operativ me rastin e kremtimit të dy festave në Kosovë - Kurban Bajramit dhe Vidovdanit.

Ndaj kësaj vizite reagoi Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve të Kosovës, e cila ka mbështetjen e Beogradit zyrtar.

Sipas saj, vizita e Kurtit në veri të Kosovës është “një shuplakë e fortë në fytyrën e bashkësisë ndërkombëtare dhe një kërcënim tjetër për serbët në Kosovë”.

Ajo nuk solli ndonjë provë për këto pretendime.

“Kush do të jetë tani pala tjetër përgjegjëse për këtë provokim?”, pyeti Lista Serbe.

Tensionet në veri të Kosovës - zonë e banuar me shumicë serbe - janë të larta qysh në fund të majit, kur kryetarët shqiptarë të komunave atje kanë hyrë në objektet komunale, me gjithë rezistencën e banorëve lokalë serbë.

Protestat që vazhdojnë, kanë kulmuar edhe në dhunë midis demonstruesve serbë dhe ushtarëve të misionit të NATO-s, KFOR.

Derisa Kosova dhe Serbia fajësojnë njëra-tjetrën për dhunën, komuniteti ndërkombëtar bën vazhdimisht thirrje për shtensionomin e situatës.

Ndër kërkesat kryesore të ndërkombëtarëve janë tërheqja e njësive speciale të Policisë së Kosovës nga veriu dhe mbajtja e zgjedhjeve të reja në këtë zonë.

Kurti insiston se “nuk mund të bëjë kompromise me republikën demokratike”.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG