Ndërlidhjet

Kurti: Dezinformimi i Beogradit shtyu zbatimin e vendimit për reciprocitetet, reagon Petkoviqi


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Shtyrja e zbatimit të vendimeve për reciprocitet me Serbinë u bë për shkak të fushatës së madhe të dezinformimit që Beogradi ka bërë mbi qytetarët e Kosovës, tha kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë seancës parlamentare të 4 gushtit në Kuvendin e Kosovës.

“Ka qenë e egër fushata e dezinformimit, është folur për operacionin Stuhia, se do të ndodhë të dielën, është folur për ferrin që do t’i pllakosë serbët në Kosovë, e të tjera e të tjera”, tha Kurti.

Ai tha se këto dezinformata kanë shtyrë Qeverinë e Kosovës që të pranojë te faktorët ndërkombëtarë evropianë dhe amerikanë shtyrjen e vendimit deri më 1 shator 2022.

“Ajo që është dashur të ndodhë para 11 viteve ne po fillojmë ta zbatojmë tani. Njëmbëdhjetë vjet ka pasur pritje e tash më pak se 1 muaj ka nxitim. Pra, ky muaj qenka shumë më i rëndë se ato 11 vjet”, u shpreh Kurti.

Ndaj deklaratave të Kurtit ka reaguar drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq.

Ai ka thënë që Kurti është i vetmi që “dezinformon dhe gënjen”.

“E vërteta e vetme është se Kurti dhe njësitë e tij speciale nën komandën e tij po përgatiteshin të kryenin dhunë të paprecedentë ndaj serbëve në Kosovë dhe Metohi dhe se fatkeqësia u shmang vetëm falë politikës së qetë, e të balancuar diplomatikisht dhe mbi të gjitha të vendosur të presidentit Aleksandar Vuçiq”, ka thënë Petkoviq në një komunikatë për media.

Më 29 qershor, në një mbledhje të rregullt, Qeveria e Kosovës vendosi reciprocitet për hyrje të shtetasve të Serbisë në Kosovë, si dhe për mundësinë e riregjistrimit të veturave me targat e qyteteve në Kosovë - të cilat i lëshojnë autoritetet e Serbisë – me ato RKS. Sipas vendimit, më 1 gusht do të niste zbatimi i tij.

Më 31 korrik, në shenjë proteste, serbët lokalë vendosën barrikada në dy rrugët që çojnë për në pikat kufitare – Jarinjë dhe Bërnjak – që lidhin Kosovën dhe Serbinë.

Pas tensioneve, bllokimit të rrugëve në veri dhe ndërhyrjes ndërkombëtare, Kosova u pajtua që të shtynte lëshimin e formularëve për shtetasit serbë deri në fillim të shtatorit, si dhe periudhën dymujore për riregjistrimin e targave.

Kurti tha se zbatimi i ventimit për reciprocitet me Serbinë do të bëhet me 1 shtator dhe se me punë dhe angazhim gjithçka do të përmbyllet mirë.

“Më mirë më 1 shtator se hiç”, tha Kurti.

Këto deklarata të kryeministrit Kurti pasojë akuzat që deputetë të partive opozitare i kanë bërë Qeverisë për situatën e krijuar në veri.

Kurti tha se këto dy masa janë plotësisht në përputhje me marrëveshjet e Brukselit dhe se ishin të koordinuara me komunitetin ndërkombëtar.

Marrëveshja për lirinë e lëvizjes në mes të Prishtinës dhe Beogradit u arrit në Bruksel në vitin 2011.

Pika 3 e marrëveshjes thotë se “Secila palë mund të aplikojë një sistem ku kartat e identitetit do të shoqërohen me dokument të shkruar hyrje/dalje për personat nga vendi tjetër”.

E njëjta marrëveshje parasheh që në Kosovë të përdoren vetëm targat RKS ose KS. Targat KS nga shtatori i vitit 2020 më nuk lëshohen nga autoritetet kosovare.

Lëshimin e dokumentit për hyrje/dalje Serbia e pati zbatuar menjëherë ndaj shtetasve të Kosovës, por jo edhe Kosova ndaj shtetasve serbë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG