Ndërlidhjet

Kurti diskuton me QUINT-in për aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, priti në takim ambasadorët e shteteve të QUINT-it. 3 mars 2023.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, priti në takim ambasadorët e shteteve të QUINT-it. 3 mars 2023.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka diskutuar me ambasadorët e pesë shteteve të QUINT-it mbi aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, thuhet në njoftimin e Qeverisë.

Në takim me ambasadorët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Mbretërisë së Bashkuar, Gjermanisë, Francës dhe Italisë, u tha se Kurti falënderoi shtetet e QUINT-it për mbështetjen e tyre për këtë aplikim, që sipas tij, “procesi i filluar duhet të vazhdojë pa vonesë”.

“Republika e Kosovës ndanë të njëjtat vlera dhe parime me Këshillin e Evropës, dhe këto janë të mishëruara edhe në Kushtetutën tonë, nëpërmjet inkorporimit të konventave të rëndësishme të Këshillit të Evropës”, tha ai.

Në maj të vitit të kaluar, Kosova ka aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës, që është një organizatë ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit në Evropë, me seli në Strasburg të Francës. Këshilli mbron lirinë e shprehjes dhe të mediave, barazinë dhe minoritetet në vendet anëtare.

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Kreshnik Ahmeti, tha se “lobimi intensiv dhe i koordinuar me partnerët, ka siguruar mbështetjen e nevojshme për procedimin e mëtutjeshëm të aplikimit të Republikës së Kosovës, drejt anëtarësimit të saj në Këshillin e Evropës”.

Aplikacionin e shqyrton Komiteti i Ministrave dhe pas shqyrtimit të gjendjes në Kosovë, fjalën përfundimtare e jep Asambleja Parlamentare, e cila përbëhet nga përfaqësuesit kombëtarë të shteteve anëtare. Pranimi bëhet me votat e 2/3 të shumicës.

Çdo anëtar i Këshillit të Evropës duhet të pranojë parimet e sundimit të ligjit dhe
zbatimin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut për të gjithë personat
brenda juridiksionit të atij shteti.

Në mungesë të Rusisë, e cila më 16 mars të këtij viti është përjashtuar nga ky Këshill, për shkak të nisjes së luftës së paprovokuar në Ukrainë, dy të tretat e shteteve anëtare të kësaj organizate e njohin pavarësinë e Kosovës.

Duke qenë se vendimet merren me shumicë, mundësia e pranimit të Kosovës është reale, në rast se vlerësohet se Kosova i plotëson kushtet.

Kurti i njoftoi ambasadorët edhe për dialogun

Në këtë takim, Kurti njoftoi ambasadorët për zhvillimet e fundit në procesin e dialogut me Serbinë dhe, siç thuhet, gatishmërinë e Qeverisë së Kosovës "për të vazhduar diskutimet për planin e zbatimit në kuadër të propozimit të BE-së.

Propozimi, që palëve iu dorëzua shtatorin e kaluar, u pranua gjatë takimit të 27 shkurtit mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në praninë e ndërmjetësuesve evropianë. Ky propozim titullohet: “Marrëveshja drejt normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë”.

Takimi i radhës i liderëve të Kosovës dhe Serbisë në kuadër të dialogut do të mbahet më 18 mars në Ohër.

Ky do të jetë një takim ku liderët do të diskutojnë planin e zbatimit që është pjesë integrale e Marrëveshjes mes dy vendeve.

Skenari i dëshiruar për palën evropiane është që ky të jetë një takim ku liderët do të pajtohen për një aneks të planit që përfshin një kalendar të qartë se kur duhet të përmbushen të gjitha elementet e saj.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG