Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë të martën se informatat preliminare të autoriteteve të Kosovës tregojnë se shumica dërmuese e personave të përfshirë në sulmin ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit, më 24 shtator, janë ose pjesëtarë të organizatës, Mbrojtja Civile ose të Brigadës Veriore – të dyja të shpallura terroriste në Kosovë, në qershor të këtij viti.
Si pasojë e sulmeve në Banjskë është vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.
Gjatë përleshjeve me policinë janë vrarë edhe tre sulmues.
Sipas Kurtit, çështja më e rëndësishme aktualisht është siguria e Kosovës dhe ndëshkimi për sulmuesit e Policisë së Kosovës.
“Ndëshkimi për sulmuesit nënkupton ndëshkimin e Serbisë, e cila e mbështeti financiarisht, ushtarakisht, logjistikisht, politikisht, publikisht, zyrtarisht, atë që ndodhi në Banjskë të Zveçanit, por në të njëjtën kohë edhe ekstradimi, dorëzimi i të gjithë atyre, të cilët janë duke u përndjekur, sepse ikën nga vendi i krimit dhe nga shteti ynë”, ka thënë Kurti teksa ka marrë pjesë në një tryezë të Institutit të Prishtinës për Studime Politike (PIPS) lidhur me arritjet e deritanishme dhe pritjet nga Procesi i Berlinit.
Ai e ka komentuar edhe një debat që pritet të zhvillojë Parlamenti Evropian të martën, lidhur me zhvillimet në veri të Kosovës.
"Unë besoj që diskutimet që do të zhvillohen në vijim, përfshirë edhe ato në forumet e Bashkimit Evropian, më i larti i tyre Parlamenti Evropian, për nga përfshirja qytetare demokratike, është siguria për Kosovën, ndëshkimet për sulmuesit, dhe në të njëjtën kohë, të mos provojmë të vazhdojmë me çfarëdo ideje të status quo-së, që mund ta ketë e nuk besoj që do të duhej ndokush”, ka thënë Kurti.
Përgjegjësinë për sulmet në Banjskë e ka marrë Millan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka thënë se ai gjendet në “Serbinë qendrore” dhe autoritetet atje e kanë marrë në pyetje "në cilësinë e qytetarit".
Autoritetet e Kosovës e kanë fajësuar Serbinë për sulmin, mirëpo autoritetet në Beograd e kanë hedhur poshtë këtë akuzë.
Sulmi ndaj Policisë në Banjskë është dënuar ashpër nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian dhe është bërë thirrje për përballjen e sulmuesve me drejtësinë.