Ndërlidhjet

Kurti diskuton me Peach për zhvillimet dhe sfidat rajonale


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, me të dërguarin e posaçëm të Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Lord Stuart Peach.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, me të dërguarin e posaçëm të Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Lord Stuart Peach.

Për zhvillimet dhe sfidat rajonale kanë diskutuar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, me të dërguarin e posaçëm të Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Stuart Peach.

Takimi u zhvillua në Mynih të Gjermanisë, ku po mbahet një konferencë për sigurinë, njoftoi zyra e kryeministrit.

“Kryeministri Kurti falënderoi Peach për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës në zhvillimin dhe proceset integruese të saj, dhe rolin aktiv të Mbretërisë së Bashkuar në Ballkanin Perëndimor”, thuhet në njoftimin e 19 shkurtit.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, me përfaqësuesin e Lartë të Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, Josep Borrell dhe përfaqësuesin e posaçëm të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak. 18 shkurt 2023.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, me përfaqësuesin e Lartë të Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, Josep Borrell dhe përfaqësuesin e posaçëm të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak. 18 shkurt 2023.

Gjatë ditës së djeshme, Kurti takoi përfaqësuesin e Lartë të Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, Josep Borrell dhe përfaqësuesin e posaçëm të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak.

Në këtë takim, sipas kryeministrisë, u diskutua për procesin e dialogut dhe propozimin evropian dhe "për takimin e radhës në Bruksel të thirrur për 27 shkurt nga Bashkimi Evropian”.

Për propozimin evropian për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë u fol gjithashtu në Mynih të Gjermanisë në takimin mes Kurtit dhe kancelarit gjerman, Olaf Scholz.

Vitin e kaluar, Kosovës dhe Serbisë iu dorëzua propozimi evropian, apo siç njihet edhe si propozimi franko-gjerman.

Palët kanë konfirmuar se e pranojnë këtë dokument, por ai nuk është bërë publik.

Megjithatë, në një draft që e ka parë Radio Evropa e Lirë, aty nuk përmendet në mënyrë specifike njohja, por parashihen të drejta të barabarta për Kosovën dhe Serbinë, respektim i integritetit territorial, paprekshmëri e kufijve, njohje e simboleve shtetërore dhe një aranzhim i veçantë për komunitetin serb në Kosovë.

Kosova dhe Serbia janë nën trysninë e komunitetit ndërkombëtar për të arritur një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve, nga frika se Rusia mund t’i shfrytëzojë tensionet mes tyre për të nxitur destabilizim në Ballkan, në përpjekje për të zhvendosur vëmendjen nga agresioni i saj në Ukrainë.

Aktualisht, palët kanë në tryezë një propozim të BE-së për normalizimin e marrëdhënieve, për të cilin SHBA-ja ka shprehur mbështetje.

Bartësit e dialogut, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pritet të takohen në Bruksel më 27 shkurt, për herë të parë që nga nëntori i vitit të kaluar.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG