Ndërlidhjet

Kurti: SHBA shumë e përkushtuar për gjetjen e një zgjidhjeje për targat


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë të martën se ambasadori amerikan, Jeffrey Hovenier, është shumë i përkushtuar për gjetjen e një zgjidhjeje për çështjen e targave ilegale serbe.

“Roli i tij është gjithmonë konstruktiv, pozitiv, kreativ. Ai po i bën përpjekjet maksimale, pra SHBA-ja, veçanërisht ambasadori Hovenier. Ata janë në kontakt me Brukselin”, ka thënë Kurti pas pjesëmarrjes në një konferencë për rininë që është mbajtur në Prizren.

Me kërkesë të Shteteve të Bashkuara, Kurti e ka shtyrë për 48 orë zbatimin e fazës së dytë të vendimit për riregjistrimin e makinave me targa ilegale serbe në RKS - Republika e Kosovës.

“Shtetet e Bashkuara i duan edhe 48 orë që përafrimi i djeshëm të mund të shndërrohet në dakordim sot ose nesër. Po i bëjmë përpjekjet maksimale. Unë nuk mendoj që jemi në orët kur duhet të flasim për shtyrje të reja, duhet të flasim për intensitet maksimal, në mënyrë që brenda 48 orëve ta kemi marrëveshjen siç e synuam në Bruksel, duke mos u kufizuar në çështjet siç është puna e targave”.

Faza e dytë parasheh shqiptimin e gjobave prej 150 eurosh për qytetarët që qarkullojnë me automjete me targa të tilla.

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë se e ka kërkuar këtë shtyrje për t’i lejuar zyrtarët evropianë dhe ata amerikanë që të angazhohen me Kosovën dhe Serbinë për të gjetur zgjidhje për këtë çështje.

Kërkesa e SHBA-së u bë pasi Kurti dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, nuk arritën marrëveshje për targat në një takim të zhvilluar më 21 nëntor në Bruksel.

Kurti ka thënë se prej takimit 8-orësh të 21 nëntorit, ai nuk ka qenë në kontakt me zyrtarët evropianë lidhur me çështjen e targave.

“Me keqardhje ritheksoj se (kryediplomati i Bashkimit Evropian, Josep) Borrell braktisi propozimin franko-gjerman, propozimin e Bashkimit Evropian duke thënë 'le ta kemi një darkordim për targat'. Nuk mjafton dakordimi për targat”, ka thënë mes tjerash Kurti.

Sipas tij, “korrigjimi i gabimit të Borrellit është i domosdoshëm”.

“Është gabim i madh që të braktiset biseda për normalizim të marrëdhënieve dhe liderët, presidenti i Serbisë, dhe unë si kryeministër i Kosovës, të flasim e të dakordohemi veçse për targat, për të cilat, dorën në zemër, as ai në Serbi, as unë në Kosovë, nuk jemi personat në kompetentë”.

Më 21 nëntor, zëdhënësi i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Peter Stano, ka thënë se është i pavërtetë çfarëdo pretendimi se Bashkimi Evropian është duke hequr dorë nga propozimi për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, i cili, sipas tij, mbështetet nga Gjermania, Franca dhe Shtetet e Bashkuara.

Vetë Borrell e ka hedhur përgjegjësinë sidomos te pala kosovare për mosarritje të marrëveshjes.

"Pas shumë orë diskutimesh, dy palët nuk u pajtuan për zgjidhjen", ka thënë Borrell, duke shtuar se një gjë e tillë lë "vakum shumë të rrezikshëm sigurie në një situatë tashmë të brishtë".

"Për hir të transparencës, ne parashtruam një propozim që mund ta shmangte këtë situatë të rrezikshme. Presidenti Vuçiq e pranoi, por për fat të keq kryeministri Kurti nuk e pranoi", ka thënë Borrell për gazetarët.

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka thënë pas takimit se pala serbe do t'i respektojë "këshillat dhe kërkesat" e kryediplomatit evropian, Borrell, i cili ndërmjetësoi bisedimet.

Shqiptimi i gjobës është pjesë e vendimit të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave me targa ilegale serbe në RKS – Republika e Kosovës.

Faza e parë parashihte qortimin, e dyta parasheh shqiptimin e gjobës dhe më vonë parashihet të vendosen disa targa provuese.

Sipas vendimit të Qeverisë, pas 21 prillit, në Kosovë nuk duhet të ketë më makina me targa të tilla që lëshojnë autoritetet serbe.

Serbia - e cila lëshon targa të paligjshme për serbët e Kosovës që nga paslufta më 1999, e kundërshton këtë plan - duke insistuar në targa neutrale ndaj statusit të Kosovës.

Si pasojë e tensioneve të ngritura, serbët e veriut të Kosovës - ku qarkullojnë kryesisht makinat me targa të paligjshme - kanë dhënë dorëheqje nga institucionet e Kosovës.

Kosova dhe Serbia kanë nisur negociatat për normalizimin e marrëdhënieve më 2011, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Procesi i negociatave pritet të përfundojë me marrëveshje ligjërisht të detyrueshme.

Ndonëse Kosova deklaron se kjo marrëveshje duhet të përfshijë njohjen e ndërsjellë, Serbia nuk pranon, duke insistuar në “zgjidhje kompromisi”.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG