Ndërlidhjet

Opozitarët i kërkojnë Kurtit që mos të merret me marrëveshje teknike, por me atë finale


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

“I diskutuam edhe detajet e dialogut dhe besoj që është një bashkëpunim i shtuar që jep shpresë edhe për më shumë komunikim të ndërsjellë”, tha kryeministri Albin Kurti pas takimit me dy liderët e partive opozitare në Kosovë.

Por, lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku tha se ftesa për takim ishte e vonuar dhe se më shumë mori informacione nga ndërmjetësuesit ndërkombëtarë, sesa nga Kurti. Ai dhe lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj thanë se i kanë kërkuar Kurtit që mos të merret me marrëveshje teknike, por të fokusohet në atë finale.

“Për dialogun partitë opozitare janë informuar më në detaje nga ndërmjetësuesit ndërkombëtarë në masë shumë më të thellë - sesa na njoftoi sot kryeministri", tha Abdixhiku.

“Dialogimi i copëzuar, pjesë-pjesë, është vetëm i Serbisë dhe jo i Kosovës. Sa më shumë që Kosova mirret me marrëveshje teknike, sa më gjatë që mbesim në këtë proces, Kosova ushqen status quo-n”, tha Abdixhiku.

Ndërsa Haradinajt, ai ka shprehur mbështetjen për Qeverinë për arritjen e një marrëveshjeje me Serbinë, e cila, sipas tij duhet të jetë gjithëpërfshirëse, obligative për njohje reciproke.

“Ja kam tërhequr vërejtjen Kurtit për strategjinë e Serbisë që të shkohet në marrëveshje një nga një dhe rrezikun që nëse njëherë Serbia arrin ndonjë sukses në marrëveshjen e Asociacionit, që të zhduken nga tavolina, pra të mos vazhdojnë fare më dialogun”, tha Haradinaj.

Ai tha se Kurti duhet të kërkojë që dialogu me Serbinë të bartet në Uashington, përkatësisht të jetë nën ndërmjetësimin e presidentit amerikan, Joe Biden.

“Rrethanat politike, gjeostrategjike kanë ndryshuar. BE-ja nuk është më neutrale, është në luftë me Rusinë, njësoj si e gjithë bota e përparuar. Mendoj se tani është koha që edhe Kurti të kërkojë zyrtarisht që portofolin e dialogut ta kalojë te presidenti i SHBA-së, Biden. Sepse në këtë mënyrë do të sigurohej jo vetëm arritja e marrëveshjes, por edhe garanca për implementim”, tha Haradinaj për gazetarët.

Kur u pyet nga gazetarët për akuzat e opozitarëve për transparencë, Kurti tha se u ka dhënë informacionet relevante opozitarëve, dhe se edhe ai po punon për marrëveshjen finale.

“Unë besoj që nuk ka informacion të rëndësishëm që është mbajtur prej nesh, krejt cfarë është relevante tashmë është ndarë me ta. Nëse kanë pasur informacion tjetër relevant që ua kanë dhënë ndërmjetësit, mbase do të duhet që ata të tregojnë që cili është ai informacion”, tha ai.

Ftesën për takim e ka refuzuar kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, i cili tha të hënën se me Kurtin do të takohet vetëm kur procesi i dialogut të ketë, sic tha ai, avancim dhe diskutim konkret.

Kurti i ftoi krerët e partive opozitare parlamentare në takim për ta diskutuar për procesin e dialogut Kosovë-Serbi.

Kurti: Reciprocitet, nëse Serbia nuk e zbaton marrëveshjen

I pyetur pas takimit, nëse do të ketë dokument të të shkruar për marëveshjen për letërnjoftimet, Kurti tha se “nuk ka dokumente përcjellëse”.

”Pra, vetëm tregohet karta e identitetit dhe do të duhej që qytetari i Kosovës kur kalon nëpër Serbi ta bëjë këtë lirisht. Njësoj bën edhe qytetari i Serbisë që hyn në Kosovë”.

Sipas tij nëse Serbia vazhdon të lëshojë dokumentin për hyrje-dalje, njësoj do të veprojë edhe Kosova.

“Nëse rastësisht Serbia vazhdon me leshu dokumente të tilla [për hyrje-dalje] atëherë do të detyrohemi edhe ne ta vendosim këtë dokument”.

Kosova dhe Serbia janë pajtuar më 27 gusht që të heqin dorë nga lëshimi i dokumentit për hyrje-dalje për shtetasit e të dy vendeve, bëri të ditur shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell.

Krerët në Kosovë thanë se reciprociteti është thelbi i zgjidhjes së mosmarrëveshjeve, ndërkaq zyrtarët serbë nënvizuan se kjo marrëveshje nuk nënkupton njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Serbia

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG