Ndërlidhjet

Kurti bisedon me senatorin Chris Murphy për zhvillimet në Kosovë


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, takohet me senatorin amerikan Chris Murphy, i pari në të djathtë, në margjinat e Konventës Kombëtare Demokratike në Çikago të Shteteve të Bashkuar.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, takohet me senatorin amerikan Chris Murphy, i pari në të djathtë, në margjinat e Konventës Kombëtare Demokratike në Çikago të Shteteve të Bashkuar.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, bisedoi me senatorin amerikan Chris Murphy për zhvillimet e fundit në Kosovë dhe për sigurinë në rajon, njoftoi zyra e kryeministrit të mërkurën.

Takimi mes tyre u zhvillua në margjinat e Konventës Kombëtare Demokratike në Çikago të Shteteve të Bashkuar, sipas njoftimit.

Shtetet e Bashkuara kanë shprehur shqetësimin e tyre me vendimet e fundit të Qeverisë së Kurtit për mbylljen e disa degëve të Postës së Serbisë në veri dhe për hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër, e cila ndan Mitrovicën në jug me shumicë shqiptare dhe në veri me shumicë serbe.

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, i përsëriti të mërkurën deklaratat e bëra më 13 gusht gjatë një interviste dhënë Radios Evropa e Lirë se Uashingtoni po përballet me disa sfida nga Qeveria e Kosovës “dhe ato sfida kanë ndikuar në cilësinë e partneritetit tonë”.

“Thënë këtë, disa nga fushat e bashkëpunimit me Qeverinë aktuale të Kosovës janë më pak pozitive sa që kemi shpresuar, angazhimi i Qeverisë amerikane për popullin e Kosovës është më i fort se kurrë më parë”, tha Hovenier pas një konference në Prishtinë të mërkurën, USAID-i njoftoi një mbështetje shtesë për Kosovën në vlerë prej 34.5 milionë dollarësh.

Qeveria e Kosovës njoftoi në fillim të gushtit synimet e saj për ta hapur urën mbi lumin Ibër edhe për qarkullim të automjeteve, pasi ajo është e hapur vetëm për këmbësorë.

Por, Kurti tha të hënën për Zërin e Amerikës se hapja e urës mbi lumin Ibër do të bëhet bazuar në një plan të cilin Qeveria e tij, siç tha ai, e ka ndarë me partnerët amerikanë dhe evropianë.

“Duam që ta bëjmë sa më parë. Por as nuk do t’i befasojmë partnerët, miqtë dhe aleatët tanë evropianë dhe amerikanë në njërën anë, por as nuk do të mund të lejojmë që kjo çështje të zvarritet pafundësisht”, tha Kurti.

Zyra e Kurtit tha gjithashtu se ai bisedoi me Murphyn, i cili është edhe anëtar i Komisionit për Punë të Jashtme të Senatit Amerikan, për Marrëveshjen Bazë dhe cështjen e Millan Radoiçiqit.

Kosova dhe Serbia e arritën Marrëveshjen për rrugën e normalizimit të marrëdhënieve në fillim të vitit 2023, por ajo nuk ka gjetur zbatim nga asnjë palë deri tani.

“Në lidhje me dialogun me Serbinë, kryeministri Kurti theksoi përkushtimin e Kosovës në zbatimin në plotni të Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit Implementues të Ohrit. Ai shtoi se për t'u zbatuar marrëveshja, nevojitet pranimi i saj edhe nga ana e Serbisë, duke e nënshkruar atë si dëshmi e garanci të angazhimit në zbatimin e marrëveshjes”, thuhet në njoftim.

Kurti kërkoi që Shtetet e Bashkuara t’i bëjnë trysni Serbisë të pranojë ekstradimin në Kosovë të Millan Radoiçiqit, i cili e mori përgjegjësinë për një sulm të armatosur kundër Policisë së Kosovës vitin e kaluar në veri.

“Tash kur po bëhen 11 muaj të vrasjes së rreshterit tonë policor Afrim Bunjaku në Banjskë të Zveçanit, është koha e fundit që kryekrimineli Millan Radojçiq t’i dorëzohet autoriteteve të drejtësisë së Kosovës dhe për këtë Kryeministri Kurti kërkoi që ShBA-të të bëjnë trysni mbi Beogradin zyrtar”, tha zyra e tij.

Më 24 shtator të vitit të kaluar, një grup i armatosur serb e ka sulmuar Policinë e Kosovës në Banjskë, duke lënë të vrarë zyrtarin e Policisë së Kosovës, Afrim Bunjakun.

Në shkëmbim e sipër të zjarrit janë vrarë edhe tre sulmues serbë.

Radoiçiq është në listën e zezë amerikane për përfshirje në krim të organizuar ndërkombëtar.

Hetimet për këtë rast po kryhen në Kosovë nga Prokuroria Speciale, dhe burimet e Radios Evropa e Lirë brenda këtij institucioni, kanë thënë se para vjeshtës pritet të ngrihet një aktakuzë në rastin Banjska.

Prokuroria e Lartë Publike në Beograd, përmes Misionit të BE-së për Sundimin e Ligjit (EULEX), ka kërkuar nga Kosova informacion në lidhje me rastin e Banjskës, por Ministria e Drejtësisë e Kosovës më 14 gusht konfirmoi për Radion Evropa e Lirë (REL) se kjo kërkesë është refuzuar.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG