Ndërlidhjet

Lukashenka ngre kurth me pasaporta për kundërshtarët


Pasaporta bjelloruse dhe prangat. Fotografi ilustruese.
Pasaporta bjelloruse dhe prangat. Fotografi ilustruese.

Alyaksandr Lukashenka, lideri de fakto i Bjellorusisë, është duke e përgatitur një kurth, thonë kundërshtarët e tij, për ata të cilët ikën jashtë vendit për të shpëtuar nga sundimi i tij shtypës.

Ambasadat bjelloruse nuk do të lëshojnë më e as nuk do t’ua vazhdojnë pasaportat shtetasve të vet që jetojnë jashtë vendit, sipas një dekreti të ri të publikuar nga Lukashenka më 4 shtator. Nëse iu nevojitet një dokument, bjellorusët do të detyrohen të kthehen në atdhe për ta marrë.

Kritikët druhen se forcat e sigurisë së Bjellorusisë do të jenë duke pritur. Besohet se rreth 200.000 – 300.000 bjellorusë e kanë braktisur vendin që nga gushti 2020, kur Lukashenka u emërua president për mandatin e gjashtë pesëvjeçar, pas zgjedhjeve të cilat u dënuan nga shumë si të montuara.

Zgjedhjet e nxitën një valë protestash të cilat u shtypën nga forcat e sigurisë së Lukashenkas. Qindra njerëz u arrestuan, shumë prej tyre u torturuan, dhe disa vdiqën gjatë shtypjes. Liderët opozitarë u arrestuan, shumë prej tyre u burgosën. Të tjerët ikën.

Perëndimi nuk ka pranuar ta njohë Lukashenkan si president të ligjshëm të Bjellorusisë.

Grupi bjellorus për të drejtat e njeriut, Vyasna, thotë se më shumë se 1.500 njerëz po mbahen prapa grilave në Bjellorusi si të burgosur politikë.

Liderja opozitare, Svyatlana Tsikhanouskaya, e cila iku në Lituani pasi e sfidoi – dhe sipas shumë njerëzve e mposhti – Lukashenkan në zgjedhjet e 2020-ës, i paralajmëroi bjellorusët duke folur për Associated Press më 4 shtator se “edhe nëse pasaportës suaj i skadon afati, ju nuk duhet të ktheheni në atdhe nëse rrezikoheni nga përndjekja”.

Kundërshtarët dhe aktivistët thonë se këto masa të reja janë përshpejtim i përpjekjeve të regjimit të Lukashenkas për arrestimin e kundërshtarëve. Ndalimi i bjellorusëve, të cilët kanë jetuar jashtë vendit dhe janë kthyer në atdhe, është rritur këtë vit, thonë ata.

Aktivistët parashikojnë se kjo mund të ndikojë që më shumë bjellorusë të bëjnë kërkesë për azil apo për pasaportë të re në vendet ku banojnë, apo mbase të zgjedhin “pasaportë të re kombëtare”, që së voni u shpalos nga opozita bjelloruse në mërgim, e cila ende nuk njihet ndërkombëtarisht, megjithatë.

Dënimi i vendimit të fundit të Lukashenkas, i shpejtë dhe i madh

“Njoftimi rreth planeve për pezullimin e shërbimeve të pasaportës për bjellorusët, që jetojnë jashtë vendit, është një tjetër masë shtypëse për t’i kontrolluar dhe kufizuar ata”, tha Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Bjellorusi në X, rrjetin social të njohur si Twitter më parë.

“Ky vendim i fundit drakonian nga Qeveria e Bjellorusisë është hakmarrje kundër kritikëve të saj në mërgim”, tha Anastassia Kruope, hulumtues për Evropën dhe Azinë Qendrore në Human Rights Watch (HRW).

“Ata që detyrohen të kthehen në shtet për të marrë dokumente themelore do të jenë në rrezik për t’u arrestuar dhe përndjekur politikisht”.

Bjellorusët vihen në rrezik

Sipas dekretit të Lukashenkas, nga tani pasaporta mund të vazhdohet vetëm në vendin ku zotëruesi i saj ishte regjistruar si banor brenda Bjellorusisë. Deri tani, bjellorusët mërgimtarë kanë mundur të marrin pasaporte të reja apo t’i vazhdojnë ato në ambasadat bjelloruse jashtë vendit.

“Mbyllja e shërbimeve konsullore tani i vë bjellorusët në pozitë të pasigurt. Nëse nuk kthehen në Bjellorusi për t’i vazhduar pasaportat e skaduara, ata mund të mbesin pa dokument themelor identifikimi dhe nuk do të jenë në gjendje të kenë qasje në një varg shërbimesh thelbësore në vendet ku jetojnë”, shkroi Hanna Liubokova, hulumtuese jorezidente në Këshillin Atlantik.

“Megjithatë, nëse kthehen në Bjellorusi mund të arrestohen apo ndiqen penalisht në lidhje me përfshirjen e mëhershme në protestat kundër regjimit”.

Për shembull, nëse një bjellorus jashtë vendit dëshiron ta shesë pronën e vet në atdhe përmes një personi të tretë, dhe i duhet ta autorizojë një avokat, ai mund ta bëjë këtë vetëm brenda Bjellorusisë, tha për Radion Evropa e Lirë Krystsina Rykhter, këshilltare ligjore e Tsikhanouskayas.

“E njëjta vlen për noterinë dhe regjistrimin shtetëror të kontratave për patundshmërinë dhe automjetet”, shtoi ajo.

Nuk ka shifra të besueshme për numrin e saktë të bjellorusëve të larguar nga vendi që nga zgjedhjet e njollosura presidenciale më 2020.

Një hulumtim i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës tregon se hiç më pak se 500 mijë bjellorusë mund të jenë zhvendosur jashtë vendit gjatë asaj kohe.

Minski ka nisur tashmë luftën kundër bjellorusëve të kthyer

Hiç më pak se 100 bjellorusë, të cilët po jetonin jashtë vendit si mërgimtarë, janë arrestuar deri tani këtë vit në çastin që janë kthyer në Bjellorusi, sipas Vyansa, të cilën e kishte quajtur “terroriste” qeveria e Lukashenkas në gusht.

“Shifrat janë të përafërta, sepse ne zakonisht mësojmë për raste të arrestimeve masive, siç ishte rasti i qershorit kur rreth 40 njerëz u arrestuan. Apo ne mësojmë edhe për raste të arrestimeve në lidhje me raste penale”, tha për Current Time, Svytalana Golovneva, avokate e Vyasnas.

Veranika Kazak ishte arrestuar nga forcat e sigurisë së Bjellorusisë më 25 gusht, pasi ishte kthyer nga Italia, ku kishte banuar për disa vite, raportoi Current Time. Më të mbërritur, ajo ishte thirrur nga policia në Minsk për t’u marrë në pyetje për komentet që i kishte postuar në rrjetet sociale. Tani nuk dihet vendndodhja e saj. Sipas Vyasnas, një rast i paspecifikuar penal është hapur ndaj Kazakut.

Bjellorusët e rikthyer janë përballur me kontrolle më të mëdha në kufi tash e tre muaj, sipas aktivistëve. Zyrtarët e sigurisë shpesh ua kontrollojnë telefonat mobilë, apo edhe i pyesin nëse kishin marrë pjesë në ndonjërën prej protestave pas zgjedhjeve të 2020-ës, e madje edhe për mendimet e tyre rreth pushtimit të Ukrainës nga Rusia.

Rusia e ka përdorur Bjellorusinë si platformë për nisjen e pushtimit të Ukrainës në shkurt 2022. Shumë prej 30 mijë trupave ruse të vendosura në Bjellorusi e kaluan vrullshëm kufirin me Ukrainën, por u zmbrapsën menjëherë.

Rrugët e rikthimit në shtëpi po mbyllen

Për shumë bjellorusë rikthimi në shtëpi nuk është patjetër detyrë e lehtë.

Fluturimet nga vendet evropiane në Bjellorusi dhe anasjelltas janë kufizuar skajshëm qëkur Bashkimi Evropian vendosi ndalesa për fluturimet dhe aeroportet, pasi Bjellorusia e kishte sajuar një kërcënim me bombë për ta kthyer një aeroplan ndërkombëtar me të cilin po fluturonte bllogeri Raman Pratasevich dhe e dashura e tij në maj 2021.

Për ata që duan të kthehen në shtëpi përmes rrugëve tokësore, mundësitë janë duke u kufizuar, pasi vendet që kufizohen me Bjellorusinë po i mbyllin pikat e kalimit kufitar për shkak të krizës së vazhdueshme të sigurisë dhe me emigrantë, bashkë me tensionet e rritura me Minskun.

Polonia i ka mbyllur të gjitha pikat kufitare, përveç njërës, me Bjellorusinë gjatë këtij viti, pas burgosjes së një gazetari me prejardhje polake dhe përjashtimit të diplomatëve polakë. Lituania, po ashtu, i ka mbyllur dy nga gjashtë pikat e kalimit kufitar.

Më 28 gusht, Polonia dhe të gjitha tri shtetet baltike u zotuan se do t’i mbyllin plotësisht kufijtë me Bjellorusinë në rast të ndonjë “incidenti kritik”, që do të përfshinte mercenarët nga grupi rus, Wagner, tha ministri i Brendshëm i Polonisë, Mariusz Kaminski, sipas Reuters.

Anëtaret e BE-së dhe NATO-s, Letonia, Lituania dhe Polonia, të cilat ndajnë kufirin me Bjellorusinë, ndihet tejet të shqetësuara për sigurinë kufitare qëkur qindra mercenarë të Wagnerit të regjur nga betejat, mbërritën në Bjellorusi me ftesë të Lukashenkas, pasi iu dështoi kryengritja e nisur në Rusi.

Në shkurt, Qeveria e Lukashenkas e themeloi një komision gjoja për t’i ndihmuar bjellorusët që kanë mëdyshje se atë kthehen në shtëpi, duke iu ofruar atyre të dhëna praktike, përfshirë nëse urdhërarrestet i presin ata në shtëpi.

Kritikët frikësohen se komisioni është thjesht një tjetër mjet për t’i gjetur kundërshtarët e Lukashenkas – diçka për të cilën edhe ai vetë aludoi më 6 shkurt.

“Ne nuk duhet t’i kërkojmë vetëm ata të ashtuquajturës opozitë në mërgim. Mund të ketë të tjerë. Ata e kuptojnë shumë mirë se ne do t’i gjejmë gjithsesi. Dikush do të aplikojë në komision. Me komision do të zgjidhni gjithçka”, tha Lukashenka asokohe.

Alyaksandr Lukashenka, lideri i Bjellorusisë.
Alyaksandr Lukashenka, lideri i Bjellorusisë.

Për bjellorusët e vetëdijshëm nga rreziku për arrestim, opozita e organizuar jashtë vendit shpreson se ata do të zgjedhin versionin e tyre të dokumentit të njëjtë. Anëtarët e opozitës bjelloruse që kanë ikur në mërgim shpalosën një “pasaportë të re kombëtare” alternative më 6 gusht.

Valer Kavaleuski nga grupi Kabineti i Bashkuar në detyrë i Bjellorusisë, tha në një konferencë në Varshavë se bisedimet me Bashkimin Evropian për njohjen e kësaj pasaporte kanë nisur tashmë.

Është e paqartë nëse komuniteti ndërkombëtar apo bjellorusët do ta zgjedhin këtë. Shumë analistë, megjithatë, parashikojnë një rritje të numrit të bjellorusëve që, ose do të kërkojnë azil jashtë vendit, ose do të aplikojnë për nënshtetësi në vendet e huaja ku jetojnë.

Përgatiti: Ekrem Idrizi

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG