Ndërlidhjet

Gazetarja e REL-it Kurmasheva, e burgosur në Rusi, nominohet për çmimin e UNESCO-s


Alsu Kurmasheva, gazetare me bazë në Pragë e REL-it dhe me shtetësi amerikane dhe ruse, është duke u mbajtur në paraburgimin rus prej 18 tetorit.
Alsu Kurmasheva, gazetare me bazë në Pragë e REL-it dhe me shtetësi amerikane dhe ruse, është duke u mbajtur në paraburgimin rus prej 18 tetorit.

Ministria e Jashtme e Republikës së Çekisë ka thënë të premten se ajo dhe 22 vende të tjera e kanë nominuar gazetaren e Radios Evropa e Lirë (REL), Alsu Kurmasheva – e cila është duke u mbajtur nga zyrtarët e sigurisë në Rusi që 120 ditë – për çmimin e UNESCO-s “Guillermo Cano”, për Lirinë Botërore të Shtypit 2024.

I krijuar më 1997, ky është një çmim vjetor që e nderon një person apo një grup njerëzish të cilët japin kontribut të shquar për mbrojtjen dhe promovimin e lirisë së shtypit nëpër glob, pavarësisht “rrezikut dhe përndjekjes” me të cilat përballen.

Kurmasheva, gazetare me bazë në Pragë e REL-it me shtetësi amerikane dhe ruse, është duke u mbajtur në paraburgimin rus prej 18 tetorit nën akuzat për shkeljen e të ashtuquajturit ligji për “agjentët e huaj”.

Megjithëse ajo i ka kaluar rreth katër muaj në paraburgim, Departamenti amerikan i Shtetit ende nuk e ka shpallur si të jashtëligjshme paraburgosjen e saj, siç ka bërë me qytetarët e tjerë amerikanë të mbajtur në Rusi.

Një vendim i tillë do ta kishte rritur profilin e rastit kundër Kurmashevës, duke cilësuar si të motivuar politikisht. Dy qytetarë të tjerë amerikanë të mbajtur në Rusi – reporteri i Ëall Street Journal Evan Gershkovich dhe ish-marinsi amerikan Paul Ëhelan – janë shpallur si të arrestuar jashtëligjshëm.

Kurmasheva, e cila ka punuar për Shërbimin Tatar-Bashkir të REL-it për rreth 25 vjet, u largua nga kryeqyteti çek në maj të vitit të kaluar për një emergjencë familjare në vendlindjen e vet Tatarstan, njëren prej republikave të shumta të Rusisë.

Ajo ishte ndaluar përkohësisht më 2 qershor në aeroportin e Kazanit, ku ishte duke pritur që të kthehej në Pragë. Aty autoritetet ia konfiskuan të dyja pasaportat dhe telefoni mobil. Pasi priti pesë muaj për vendimin e gjykatës për rastin ndaj saj, Kurmasheva u gjobit me 109 dollarë për shkak se nuk e kishte regjistruar pasaportën e vet amerikane te autoritetet ruse.

Duke mos qenë në gjendje të largohet nga Rusia pa dokumentet e veta të udhëtimit, Kurmasheva u arrestua sërish në tetor dhe këtë herë nën akuzat se nuk ishte regjistruar si “agjente e huaj”. Dy muaj më vonë, ajo u akuzua për shpërndarje të dezinformatave për ushtrinë ruse.

Kurmasheva së fundmi shkroi nga qelia e burgut në qytetin rus, Kazan, se “qëndrimi në burg po bëhet dalëngadalë, por sigurt më i padurueshëm”.

Kurmasheva është një ndër katër gazetarët e Radios Evropa e Lirë - Andrey Kuznechyk, Ihar Losik dhe Vladyslav Yesypenko janë tre të tjerët – që aktualisht ndodhen në burg, mbi akuza që lidhen me punën e tyre. Grupet për të drejta dhe REL-i kanë bërë vazhdimisht thirrje për lirimin e të katërve, duke thënë se ata janë burgosur padrejtësisht.

Losik është blloger dhe kontribuues në Shërbimin bjellorus të REL-it, i cili është shpallur fajtor në dhjetorin e vitit 2021 mbi disa akuza, përfshirë atë për “organizimin dhe përgatitjen e veprimeve që cenojnë rëndë rendin publik”, dhe është dënuar me 15 vjet burgim.

Kuznechyk, redaktor i ueb-faqes së Shërbimit bjellorus të REL-it, është dënuar në qershorin e vitit 2022 me gjashtë vjet burgim, pas një gjykimi që nuk ka zgjatur më shumë se disa orë. Ai është shpallur fajtor për “krijim apo pjesëmarrje në një organizatë ekstremiste”.

Yesypenko, qytetar me shtetësi ukrainase dhe ruse, i cili ka kontribuar për Realitetet e Krimesë, një degë rajonale lajmesh e Shërbimit ukrainas të REL-it, është dënuar në shkurtin e vitit 2022 me gjashtë vjet burgim nga një gjyqtar rus në Krimenë e okupuar, pas një gjykimi prapa dyerve të mbyllura. Ai është shpallur fajtor për “posedim dhe transportim të mjeteve shpërthyese”, një akuzë që ai kategorikisht e mohon.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG