Ndërlidhjet

Kur do ta rifillojë prodhimin Ferronikeli?


Një punëtor duke punuar në uzinën e minierave dhe shkrirjes në Ferronikel. Fotografi nga arkivi.
Një punëtor duke punuar në uzinën e minierave dhe shkrirjes në Ferronikel. Fotografi nga arkivi.

Kompleksi Metalurgjik Ferronikeli pritet së shpejti të rifillojë prodhimin, thonë përfaqësues të punëtorëve.

Më 23 korrik Ferronikeli është blerë nga Grupi “Balfin” nga Shqipëria dhe pronarët e rinj kishin premtuar se prodhimi do të fillojë shumë shpejt, por nuk kanë saktësuar ndonjë datë.

Kompani Ferronikeli, që gjendet në Drenas, ka ndërprerë prodhimin në muajin prill të këtij viti, për shkak të problemeve financiare me të cilat është ballafaquar pronari i mëhershëm.

Kompleksi përfshin një fabrikë të prodhimit të nikelit, si dhe depozitat potencialisht të pasura me minerale.

Por, Fehmi Nika, kryetar i Sindikatës se Punëtorëve tha për Radion Evropa e Lirë se nga sot kjo kompani zyrtarisht ka filluar punën, kurse nga dita e mërkurë, sipas tij, do fillojë prodhimi. Sa i përket gjendjes teknike, Nika thotë se ndërmarrja është në gjendje të rregullt.

“Sot janë kthyer punëtorët sipas ndërrimeve që kanë qenë më herët”, tha Nika.

Lidhur me rifillimin e prodhimit ende nuk ka një konfirmim zyrtar nga kompania e re e cila ka marrë në menaxhim këtë gjigant ekonomik.

Nga muaji korrik, këtë ndërmarrje e ka në menaxhim kompania ‘NKL Limitet’, me qendër në Londër, e cila do të kontrollojë 100 për qind të aksioneve të kompanisë industriale.

Pjesë e kësaj kompanie është Grupi “Balfin” nga Shqipëria, grup ky që ka njoftuar se do zotërojë aksionet e Ferronikelit përmes kompanisë ‘NKL Limited’ dhe është zotuar se do të investojë menjëherë fonde të mjaftueshme për të rikthyer prodhimin me kapacitet të plotë brenda muajit gusht.

Kryetari i komunës se Dranasit, Ramiz Lladrovci shpreson se pronari i ri do ta ringjallë këtë kompleks, rrjedhimisht do ndikojë edhe në përmirësimin e gjendjes ekonomike në këtë komunë.

Më qëllim të rifillimit të prodhimit sa më të shpejtë të këtij kompleksi, Lladrovci tregon për Radion Evropa e Lirë se çdo kërkesë që është bërë në komunë nga pronari i ri është përmbushur me procedurë të shpejtë.

“Çdo gjë që është kërkuar nga menaxhmeti i Ferronikelit i kemi ndihmuar. I kemi ndihmuar me pëlqime, plotësimin e dokumenteve të nevojshme me procedurë të shpejtë. Jemi të gatshëm të bashkëpunojmë edhe në të ardhmen, vetëm që kompani Ferronikeli të fillojë sa më shpejtë punën”, thotë Lladrovci.

Edhe punëtorët e kompleksit, që numërojnë mbi 800, shpresojnë se pronari i ri do ta ringjallë këtë ndërmarrje duke e rikthyer prodhimin me kapacitet të plotë dhe shlyerjen e borxheve financiare që ka kompania kryesisht ndaj kontraktorëve privatë, thotë kryetari i sindikatës Fehmi Nika.

“Ne besojmë se kapaciteti i prodhimit do të rritet më shumë se sa ka qenë”, shprehet Nika.

Kompania e re ka planifikuar të kryejë investime shtesë në Ferronikel, në mënyrë që potenciali i sektorit minerar në Shqipëri dhe Kosovë të mund të vihet në përdorim të plotë dhe për ta rritur prodhimin e nikelit nga 7200 tonë në vit, në mbi 10.000 tonë në vit.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG