Ndërlidhjet

Kumanova vatër e koronavirusit, kërkon të futet në karantinë


Rrugët e boshatisura të Kumanovës. 12 prill, 2020.
Rrugët e boshatisura të Kumanovës. 12 prill, 2020.

Kumanova mbetet vatra e koronavirusit në Maqedoninë e Veriut me 306 të infektuar, bazuar në të dhënat e publikuara të enjten mbrëma, ndërkohë që para këtij qyteti është vetëm se Shkupi me 367 të infektuar, por me popullsi tre herë më ta madhe se Kumanova.

Drejtuesit e Kumanovës qëndrojnë në kërkesën për futjen e këtij qyteti në karantinë shtetërore, sipas modelit me qytetin e Dibrës, që ishte në izolim të plotë për një muaj, e që rezultoi me sukses, pasi tani për disa ditë me radhë, në Dibër nuk ka raste të reja.

“Konsideroj se vetizolimi është mënyra më e fuqishme për momentin që mund të dalë fitimtar përballë virusit, që të mos zgjerohet në përmasa shqetësuese, por të nisë të ulet në faza dhe të kalojmë këtë gjendje të rëndë”, ka deklaruar përmes një platforme interneti, kryetari i Komunës së Kumanovës, Maksim Dimitrevski.

Ai ndodhet në vetizolim shtëpiak, pasi të enjten ka dalë pozitiv me koronavirus, ndërkohë që në vetizolim janë futur edhe kryeministri Oliver Spasovski dhe tre ministra, pasi të mërkurën ata kishin pasur takim me Dimitrevskin, për të diskutuar për gjendjen në Kumanovë.

Dimitrevski tha se nuk i kishte njoftuar paraprakisht anëtarët e qeverisë se po priste rezultatin e testit për COVID-19, pasi këtë, siç ka thënë, është dashur ta bëjnë institucionet tjera. Ndërkohë edhe drejtuesit e qeverisë kanë thënë se nuk kanë qenë në dijeni me testin dhe simptomat e kreut të Kumanovës, por nuk janë përgjigjur nëse do të kërkohet përgjegjësi për veprimin e Dimitrievskit.

“Se pse nuk kemi qenë të informuar, unë për momentin nuk mund ta them, përgjigjen duhet ta kërkoni tek ata që ishin me ne në takim”, ka deklaruar ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, i cili të enjten në mbrëmje vonë ka folur nga shtëpia e tij përmes një platforme digjitale.

Ministri Filipçe thënë se Kumanova nuk mund të krahasohet me Dibrën, që është një qytet mbi dhjetë herë më i vogël se Kumanova, e cila vetëm në Shkup ka mbi katër mijë të punësuar në ndërmarrje e institucione shtetërore dhe mbi pesë mijë të tjerë që punojnë në sektorin privat.

Ndërkohë, numrin e madh të të infektuarve në Kumanovë, drejtori rajonal i Institutit të Shëndetit Publik, Arif Latifi e ka arsyetuar me numrin e madh të testeve që janë bërë, në përputhje me rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Ai thotë se në ditë janë bërë madje më shumë se 100 teste, të çdo person që ka pasur simptoma.

“Kur jemi drejtuar tek ato grupe ne kemi ditur se do të kemi të pacientë që do të dalin pozitivë. Qëllimi që të bëjmë më shumë teste ka qenë dhe është që t’i lokalizojmë këto raste, t’i izolojmë dhe me këtë të ndërpritet përhapja e këtij infektimi në nivel lokal”,ka deklaruar Latifi, duke theksuar se edhe në qytete tjera mund të ketë shumë të infektuar, por atje nuk janë bërë sa duhet teste apo po fshihen rastet nga vet popullata.

Për rastin e Kumanovës ka diskutuar edhe Këshilli i Sigurisë Kombëtare, i cili vendosi vazhdimin e gjendjes së jashtëzakonshme në gjithë vendin edhe për 30 ditë. Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, i cili kryeson këshillin, ka thënë se gjendja në Kumanovë është shqetësuese, ndërsa ka kërkuar nga institucionet tjera të shqyrtojnë mundësinë nëse edhe në këtë rast mund të përdoret shembulli i Dibrës.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG