Ndërlidhjet

Në Prishtinë ndizen qirinj për viktimat në Izrael dhe kërkohet lirimi i pengjeve


Qirinj të ndezur në Prishtinë për të vrarët në Izrael, pas sulmit të Hamasit më 7 tetor.
Qirinj të ndezur në Prishtinë për të vrarët në Izrael, pas sulmit të Hamasit më 7 tetor.

Në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës u ndezën qirinj për 1.400 personat e vrarë në Izrael dhe u bë thirrje për lirimin e 239 pengjeve të marrë nga Hamasi në Rripin e Gazës.

Në ngjarjen që u organizua nga Oda Ekonomike Kosovë-Izrael, ambasadorja izraelite në Kosovë, Tamar Ziv, tha se pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore dhe Holokaustit, bota tha “kurrë më nuk do të ketë masakër të hebrenjve”. Por, sipas saj, më 7 tetor, kur militantët palestinezë të Hamasit sulmuan Izraelin, ata “masakruan në mënyrë brutale” 1.400 persona, përfshirë edhe shtetas të huaj.

Fotografitë e pengjeve të kapur nga Hamasi.
Fotografitë e pengjeve të kapur nga Hamasi.

“Ngjarjet e 7 tetorit përbëjnë krime lufte dhe krime kundër njerëzimit”, tha ajo përmes video-lidhjes, duke sqaruar se për shkak të luftës e kishte të pamundur të merrte pjesë fizikisht në këtë ngjarje.

Në këtë ngjarje morën pjesë përfaqësues të ambasadave në Kosovë dhe ambasadorë të akredituar, përfshirë ambasadorin amerikan, Jeffrey Hovenier.

Ambasadori amerikan, Jeff Hovenier, duke nderuar viktimat e sulmit të Hamasit ndaj Izraelit.
Ambasadori amerikan, Jeff Hovenier, duke nderuar viktimat e sulmit të Hamasit ndaj Izraelit.

Që kur Hamasi sulmoi jugun e Izraelit, ushtria izraelite ka bombarduar vazhdimisht Rripin e Gazës dhe trupat izraelite po kryejnë edhe sulm tokësor me qëllim të shkatërrimit të grupit militant.

Si pasojë e luftimeve, mbi 10.000 palestinezë janë vrarë në Gazë, kanë thënë autoritetet shëndetësore të këtij territori që udhëhiqet nga Hamasi.

Ambasadorja Ziv tha se në mesin e të vrarëve në Izrael ishin 287 shtetas të huaj.

Ndërkaq, sa u përket pengjeve, 127 prej tyre janë të huaj. “Në mesin e të rrëmbyerve janë 35 fëmijë – dhjetë prej tyre nën moshën 5-vjeçare - dhe ka edhe foshnja disa muajsh”, tha Ziv.

Ambasadorja izraelite në Kosovë, Tamar Ziv, duke iu adresuar të pranishmëve përmes video-lidhjes.
Ambasadorja izraelite në Kosovë, Tamar Ziv, duke iu adresuar të pranishmëve përmes video-lidhjes.

“Në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar, Hamasi po ua mohon 239 pengjeve të drejtat e tyre themelore njerëzore, duke pamundësuar vizitat nga Kryqi i Kuq Ndërkombëtar. Izraeli kërkon që Kryqi i Kuq Ndërkombëtar të lejohet të vizitojë të rrëmbyerit dhe t’i furnizojë ata me ilaçe dhe trajtime mjekësore dhe ne presim që komuniteti ndërkombëtar të marrë masa për të ofruar sigurinë e tyre dhe të punojë në lirimin e tyre”, tha ambasadorja izraelite në Kosovë.

Deri më tani, Hamasi ka liruar katër pengje, ndërkaq një është shpëtuar nga forcat izraelite. Grupi militant ka ofruar lirimin e të gjitha pengjeve në këmbim të lirimit të të burgosurve palestinezë në Izrael, por Izraeli ka hedhur poshtë këtë ofertë.

Izraeli është zotuar se do të shkatërrojë grupin e Hamasit dhe të lirojë pengjet.

Në mesin e të pranishmëve ishin edhe ambasadorë të akredituar në Kosovë.
Në mesin e të pranishmëve ishin edhe ambasadorë të akredituar në Kosovë.

Kryetari i Odës Ekonomike Kosovë-Izrael, Skender Hyseni, tha se populli i Kosovës e ndien dhe e di më së mirë se çfarë do të thotë kjo që ka ndodhur në Izrael.

Qirinj të ndezur për viktimat në Izrael.
Qirinj të ndezur për viktimat në Izrael.

Në Prishtinë, që kur ka shpërthyer lufta Izrael-Hamas, janë mbajtur disa marshe në mbështetje të popullit palestinez.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG