Masat e reja që Qeveria e Kosovës i ka vendosur për parandalimin e përhapjes dhe shpërndarjes së koronavirusit, janë vënë në qendër të vëmendjes dhe debateve për shkak të implikimeve nga aspekti i të drejtave të njeriut.
Këto masa kufizojnë lirinë e lëvizjes për qytetarët, vetëm në një orë e gjysmë gjatë një dite. Përderisa personat nën moshën 16-vjeçare dhe ata mbi 65 vjeç, duhet që të qëndrojnë brenda, përveç rasteve të domosdoshme apo urgjente.
Nga Këshilli për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut me seli në Prishtinë, këto masa shihen nga dy perspektiva.
Drejtori i këtij Këshilli, Behxhet Shala tha për Radion Evropa e Lirë se Qeveria e Kosovës ka marrë një vendim që ka si qëllim mbrojtjen e të drejtës për jetë. Nëse balancohen e drejta e lëvizjes dhe e drejta për jetë, thekson Shala, gjithmonë ka përparësi vetëm e drejta për jetë.
”E drejta për jetë është e drejtë elementare dhe kryesore e njeriut dhe në qoftë se nuk e keni të rrezikuar të drejtën për jetë apo e keni të rrezikuar të drejtën për jetë, këto të drejtat e tjera janë të parëndësishme”, thekson ai.
Para se të merrte këtë vendim, Qeveria e Kosovës kishte në fuqi masat, po ashtu shtrënguese, që mundësonin lëvizjen vetëm nga ora 06 – 17. Kurse vendimi i fundit, i datës 12 prill, lejon daljet për 90 minuta në ditë, vetëm për kryerjen e shërbimeve të domosdoshme.
Shala thotë se vendimi i fundit ka lënë anash disa kategori të cilat lëvizjen e kanë esenciale për funksionimin e tyre. Ai thotë se nuk mund të paralizohet jeta në tërësi, duke veçuar sidomos ndaljen e qarkullimit me automjete, me çka sipas tij, është vështirësuar kryerja e funksioneve themelore për shumë njerëz e kategori.
“Edhe të dënuarit nëpër burgjet e Kosovës kanë të drejtë të qëndrojnë dy orë në ajër të pastër, kurse qytetarët e Kosovës me këtë vendim të ri kanë të drejtë të qëndrojnë vetëm një orë e gjysmë në ajër të pastër. Po të ishte qeveria e fortë, shteti i fortë, i organizuar dhe po të ishte në gjendje t’i përmbushë kërkesat e qytetarëve, ky vendim do të kishte kuptim”, thotë Shala.
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti i ka arsyetuar masat e qeverisë që ai drejton, duke i konsideruar ato si mjaft të vështira, por të domosdoshme për parandalimin e përhapjes së koronavirusit.
“Unë i kuptoj qytetarët që po bëhen disa javë dhe janë mërzitur duke qëndruar brenda, por nuk ka zgjidhje tjetër. Parandalimi është e vetmja mënyrë kur nuk ka vaksinë. E dimë që është e vështirë, por nuk kemi zgjidhje tjetër. Duhet të qëndrojnë brenda, t’i respektojnë vendimet e qeverisë, udhëzimet e mjekëve, meqenëse duke ruajtur veten e ruajmë njëri-tjetrin”, tha Kurti.
Opozita, ndërkaq, i ka cilësuar masat e fundit të qeverisë si jokushtetuese dhe përpjekje për të mbijetuar në pushtet, përkundër faktit që Qeveria Kurti tashmë është në dorëheqje përkatësisht në detyrë, për shkak të votimit të suksesshëm të mocionit të mosbesimit në kuvend, më 25 mars.
Dastid Pallaska, njohës i çështjeve kushtetuese, jurist nga Prishtina, ka kërkuar nga Avokati i Popullit, Hilmi Jashari që të marrë përsipër mbrojtjen e të drejtave dhe lirive kushtetuese të qytetarëve, të cilat sipas tij, “po shkelen me vendimet qeveritare për masat kufizuese ndaj COVID-19 për shkak të konfliktit personal të kryeministrit në ikje me presidentin”.
“Vendimi kundër-kushtetues i Ministrisë së Shëndetësisë (Qeverisë së Kosovës) duhet të sfidohet në Gjykatë Kushtetuese nga Avokati i Popullit”, ka shkruar Pallaska në Facebook.
Në përgjigjen për Radion Evropa e Lirë nga Avokati i Popullit thuhet se me gjithë faktin se për vendimin e qeverisë kanë raportuar mediat, ende nuk ka ndonjë vendim formal nga ana qeverisë lidhur me masat e paralajmëruara.
Sidoqoftë, Avokati i Popullit është duke e përcjellë situatën dhe pret që Qeveria e Kosovës edhe formalisht ta nxjerrë dhe ta shpallë vendimin dhe Avokati i Popullit do të njoftojë opinionin publik lidhur me qëndrimet e tij.
Ndaj masave të qeverisë kanë reaguar edhe shumica e kryetarëve të komunave, të cilët përmes një deklarate të përbashkët kanë theksuar se nuk janë konsultuar fare para se të merret ky vendim.
Të hënën, më 13 prill, ministri në detyrë i Shëndetësisë në Qeverinë e Kosovës, Arben Vitia, në një konferencë për media me trupin qeveritar anti-COVID-19, ka njoftuar se që nga data 15 prill në ora 06:00, në bazë të vendimit të ri, qytetarët e Kosovës nuk do të lejohen të dalin nga shtëpitë. Ata do të kenë të drejtë të lëvizin në rrugë vetëm për një orë e gjysmë në ditë, dhe atë vetëm për nevoja thelbësore.
Ministri Vitia, gjatë prezantimit të masave të reja ndaj luftimit të sëmundjes COVID-19, bëri të ditur se personave të moshuar u rekomandohet të mos dalin nga shtëpitë përveç në raste urgjente. Këto masa, u tha se do të zgjasin deri më 4 maj.
Mosrespektimi i masave të këtij vendimi konsiderohet kundërvajtje administrative dhe dënohet prej një mijë deri në dy mijë euro gjobë për personat fizikë dhe tre mijë deri tetë mijë euro për personat juridikë, ndërsa personi përgjegjës i personit juridik dënohet deri nga 500 deri një mijë e 500 euro.