Ndërlidhjet

Kufizimet e udhëtimit në BE pritet të hiqen së shpejti për të vaksinuarit


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese

Komisioni Evropian u propozoi vendeve anëtare të Bashkimit Evropian që t’i lehtësojnë kufizimet aktuale të udhëtimeve jothelbësore për qytetarët e të ashtuquajturave vende të treta.

Rekomandimi vlen për qytetarët e vaksinuar kundër koronavirusit, me vaksina të miratuara nga Agjencia Evropiane e Barnave (EMA).

EMA, deri më tash, ka miratuar vaksinat e kompanive Pfizer/BioNTech, Moderna, Johnson & Johnson dhe AstraZeneca.

Sipas propozimit të KE-së, të gjithë personat e të ashtuquajturave vende të treta, që janë të vaksinuar me njërën prej këtyre vaksinave, mund të udhëtojnë në BE.

Sa i përket vaksinës ruse Sputnik V, ajo është ende në procesin e analizimit nga EMA.

Zyrtarë të KE-së thanë se derisa të miratohet zyrtarisht përdorimi i kësaj vaksine, njerëzit e vaksinuar me të nuk bëjnë pjesë në grupin e qytetarëve që mund të udhëtojnë lirshëm në vendet evropiane.

“Komisioni Evropian propozon t’u lejojë hyrjen në BE, për udhëtime jothelbësore, jo vetëm personave që vijnë nga vende me situatë të mirë epidemiologjike, por edhe personave që kanë marrë dozën e fundit të rekomanduar të vaksinës, të miratuar nga BE-ja", thuhet në komunikatën e KE-së, që është krahu ekzekutiv i BE-së.

BE-ja ka vendosur kufizime për të gjitha udhëtimet jothelbësore në mars të vitit të kaluar, kur edhe ka shpërthyer pandemia e koronavirusit.

Për të kufizuar rrezikun e importimit të varianteve të reja të koronavirusit, Komisioni Evropian propozoi gjithashtu të ashtuquajturën “frenë urgjente”, që do të mundësonte vendosjen e kufizimeve të shpejta të udhëtimit për vendet ku situata shëndetësore përkeqësohet ndjeshëm.

Vendet anëtare të BE-së do të fillojnë të diskutojnë propozimin të martën.

Marrëveshja e tyre është e nevojshme për ta vënë atë në fuqi.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG