Ndërlidhjet

Kryqi i Kuq i indinjuar për vrasjen e tetë mjekëve në Gazë


Një autoambulancë e dëmtuar në Gazë.
Një autoambulancë e dëmtuar në Gazë.

Federata Ndërkombëtare e Shoqatave të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe (IFRC) tha se është “e indinjuar” nga vrasja e tetë mjekëve në detyrë, në qytetin Rafah në jug të Gazës.

Ekipi prej nëntë personash u sulmua më 23 mars, tha IFRC-ja, ndërsa trupat e tyre u morën të dielën, pasi qasja në vendngjarje nuk u lejua për një javë.

Një mjek është ende i zhdukur.

Shoqata e Gjysmëhënës së Kuqe të Palestinës (PRCS) tha se trupat e stafit të saj u zbuluan së bashku me ato të gjashtë anëtarëve të Agjencisë së Mbrojtjes Civile të Gazës - të drejtuar nga Hamasi, organizatë e shpallur terroriste nga SHBA-ja dhe fuqi të tjera - si dhe të një punonjësi të OKB-së.

Ata nuk thanë se kush hapi zjarr ndaj kolonës, por Hamasi fajësoi Forcat e Mbrojtjes të Izraelit për sulmin.

Në një deklaratë të lëshuar të dielën, IFRC-ja tha se tetë trupat e punëtorëve të PRCS-së u morën “pas shtatë ditësh heshtjeje”.

Forca e Mbrojtjes e Izraelit nuk e komentoi publikisht deklaratën e Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe.

Agjencia e lajmeve AFP raportoi se ushtria izraelite, të shtunën, ka pranuar se ka qëlluar mbi autoambulancat në jug të Gazës, të dielën e kaluar, pasi i ka identifikuar ato si “automjete të dyshimta”.

Trupat izraelite “kanë hapur zjarr ndaj automjeteve të Hamasit dhe kanë eliminuar disa terroristë të Hamasit”, tha ushtria në një deklaratë për AFP-në.

Ushtria shtoi se “pas një hetimi fillestar, është konstatuar se disa nga automjetet e dyshimta, kanë qenë ambulanca dhe kamionë zjarrfikës”.

Izraeli rifilloi ofensivën e tij ushtarake në Gazë më 18 mars, pasi faza e parë e një armëpushimi që filloi në janar, përfundoi, ndërsa negociatat për fazën e dytë të marrëveshjes ngecën.

Që atëherë u vranë më shumë se 900 njerëz nga sulmet e Izraelit në Gazë, tha Ministria e Shëndetësisë, e drejtuar nga Hamasi.

Lufta filloi kur Hamasi sulmoi Izraelin jugor më 7 tetor të vitit 2023, duke vrarë rreth 1.200 njerëz dhe duke marrë pengje mbi 250 të tjerë.

Izraeli u përgjigj me një ofensivë masive ushtarake, duke vrarë më shumë se 50.000 palestinezë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gazë, të udhëhequr nga Hamasi.

Qëndroni me ne

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG