Ndërlidhjet

Qeveria ua ndan nga 100 euro pensionistëve dhe fëmijëve deri në 16 vjeç

E përditësuar

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, njoftoi se Qeveria e tij ka vendosur t’ua ndajë nga 100 euro shtesë për fundvit të gjithë pensionistëve dhe fëmijëve deri në 16 vjeç. Megjithatë, ai u kritikua nga opozita e disa analistë se e bëri këtë për qëllime të fushatës zgjedhore.

Ministri i Financave, Hekuran Murati, në një konferencë te përbashkët me Kurtin të dielën, tha se gjatë javës që vjen do të punohet për ekzekutimin e tyre.

Ai shtoi se pensionistët dhe fëmijët nuk kanë nevojë të aplikojnë për shtesën për fundvit, pasi ata janë tashmë të regjistruar në sistem e pensioneve dhe skemave të shtesave për fëmijë.

“Shpërndarje parash në kohë fushate”

Kosova do të mbajë zgjedhje parlamentare më 9 shkurt dhe ish-ministrja e Financave dhe tani deputete e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LD), Hykmete Bajrami, tha se “shpërndarja” e buxhetit të shtetit në kohë fushate është “skemë e korrupsionit publik”.

Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Arben Mustafa, theksoi se Qeveria ndërmori veprimin për shtesat prej 100 eurove “si përpjekje për të mbuluar dështimin 4-vjeçar”.

Anëtari i ri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, deputeti Haki Abazi, e kritikoi kryeministrin se po e bën këtë për fushatë zgjedhore dhe për fitim votash.

Kurti i ndërmori një sërë hapash për t’i rritur pagat dhe pensionet në muajt e fundit.

Pas vendimit për rritje për 20 për qind në tetor, pensionet në Kosovë tani janë nga 120 deri në 318 euro

Edhe për Naim Jakaj, hulumtues në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), vendimi i Kurtit për pagesën shresë prej 100 eurove duket “më shumë si një shpërndarje e parave në kohë fushate, sesa një masë e bazuar në analizë dhe targetim social”.

“Transferi prej 100 eurosh për pensionistët dhe fëmijët është një ndihmë e përkohshme, por nuk përbën një politikë publike të mirëfilltë dhe të qëndrueshme”, tha Jakaj për Radion Evropa e Lirë.

Ai e kritikoi Kurtin për dështimin e përcaktimit të kritereve të qarta për targetimin social gjatë katër vjetëve të mandatit të saj, i cili i mbaron në fillim të vitit 2025.

“Për shembull, transferet financiare për fëmijët trajtohen në mënyrë të njëjtë si për një familje kosovare me të ardhura të mëdha, ashtu edhe për një punëtor/e që merr pagë 500 euro, apo një rast social që pranon 70 deri në 210 euro në muaj”, tha ai.

Qeveria e Kosovës në vitin 2021 nxori një skemë për t’i paguar fëmijët nën moshën 16-vjeçare në baza mujore fillimisht me nga 10 euro dhe 20 euro në muaj për fëmijë.

Kurti e paraqiti një skemë të re për pagesat për fëmijë në gusht të këtij viti me një rritje të vogël.

Sipas skemës së re, fëmija i parë dhe i dytë në familje paguhet nga 20€ në muaj secili, ndërsa për nënat që kanë tre fëmijë e më shumë, secili prej tre fëmijëve paguhet nga 30 euro.

Një skemë e tillë nuk i merr parasysh nevojat specifike të grupeve më të cenueshme dhe kontribuon në shpërndarjen e pabarabartë të burimeve publike, sipas Jakajt.

Jakaj tha se Qeveria ka dështuar t’i harmonizojë pensionet me koston e jetesës, duke i lënë pensionistët “në vështirësi të mëdha ekonomike”.

“Për më tepër, edhe shtesat prej 100 eurosh janë të pamjaftueshme për t’i përmbushur nevojat bazë të kësaj kategorie”, shtoi Jakaj.

Edhe Shenoll Muharremi, ekonomist dhe njohësi i politikave publike, e quajti vendimin e Qeverisë "korrupsion të pastër elektoral" dhe përpjekje për “të blerë vota” në prag të zgjedhjeve.

Vendimi i Kurtit për t’i rritur pagat për sektorin publik në fund të tetorit po ashtu ishte parë si fushatë zgjedhore.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Blendi Hasajn, drejtor ekzekutiv në Institutin për Hulumtime të Avancuara, GAP, tha asokohe se, derisa vendimi ishte i duhur, ai paralajmëroi se do të ketë shumë ndikime.

Qeveria e Kurtit nuk është e vetmja që ka rritur paga në prag zgjedhjes parlamentare në Kosovë, megjithatë. Vetë Kurti ishte shprehur kritik ndaj një praktike të tillë.

Për shembull, kryeministri i atëhershëm nga PDK-ja, Hashim Thaçi, i kishte rritur pagat për sektorin publik në mars 2014, rreth tre muaj para mbajtjes së zgjedhjeve atë vit.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG