Ndërlidhjet

Kryeministri i Japonisë, Kishida njofton se do të japë dorëheqje


Kryeministri i Japonisë, Fumio Kishida, ka thënë se do të japë dorëheqje muajin e ardhshëm, 14 gusht 2024.
Kryeministri i Japonisë, Fumio Kishida, ka thënë se do të japë dorëheqje muajin e ardhshëm, 14 gusht 2024.

Kryeministri i Japonisë, Fumio Kishida, ka thënë se do të japë dorëheqje muajin e ardhshëm, pas pakënaqësive nga qytetarët në lidhje me skandalet politike dhe rritjen e kostos së jetesës.

“Politika nuk mund të funksionojë pa besimin e publikut. E mora këtë vendim të vështirë duke menduar për publikun, me vullnet të fuqishëm për të shtyrë për reforma politike në të ardhmen”, tha Kishida në një konferencë për media, ku njoftoi vendimin për të mos garuar për t’u rizgjedhur në krye të Partisë Liberale Demokratike (LDP).

LDP-ja do të mbajë zgjedhje për lider të ri në shtator.

Vlerësimi publik për Kishidan filloi të bjerë furishëm pak pasi ai e mori detyrën më 2021, pasi u zbuluan lidhjet e LDP-së me Kishën kontroverse të Unifikimit. Popullariteti i tij mori një goditje tjetër kur u zbulua se ishin bërë donacione politike të paregjistruara në ngjarjet e LDP-së për grumbullim fondesh.

Ai u përballë gjithashtu me pakënaqësi nga populli, pasi dështoi t’i rrisë pagat në një kohë kur kostoja e jetesës u rrit.

“Kryeministri nga LDP-ja nuk mund të garojë për president të partisë, nëse nuk e ka të sigurt fitoren. Është sikurse kampioni i madh i sumos. Nuk mund të fitosh dosido, duhet të fitosh me elegancë”, tha Koichi Nakano, profesor i shkencave politike në Universitetin Sophia.

Kushdo që e pason Kishidan si lider të LDP-së duhet ta rikthejë besimin e publikut në parti dhe ta luftojë rritjen e kostos së jetesës dhe tensionet e përshkallëzuara gjeopolitike me Kinën.

Kishida vjen nga një familje politikanësh – babai dhe gjyshi i tij kanë qenë anëtarë të Dhomës së Përfaqësuesve të Japonisë.

Ai u bë anëtarë i Dhomës për herë të parë në vitin 1993. Më pas, ai u bë ministri i Jashtëm më jetëgjatë i Japonisë, kur e mbajti postin nga viti 2012 deri në vitin 2017.

Ai u bë kryeministër në tetor 2021, duke e pasuar Yoshihide Sugan, i cili kishte dhënë dorëheqje pas vetëm një viti në detyrë. Kishida e udhëhoqi LDP-në drejt fitores në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2021.

Kishida e udhëhoqi Japoninë drejt daljes nga pandemia e COVID-19.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG