Ndërlidhjet

Kryeministri çek: Ka dyshime se Rusia është përgjegjëse për tentim-zjarrvënie në Pragë


Kryeministri i Republikës së Çekisë, Petr Fiala.
Kryeministri i Republikës së Çekisë, Petr Fiala.

Autoritetet çeke dyshojnë se Rusia mund të jetë përgjegjëse për një tentim për t’ua vënë zjarrin autobusëve të transportit publik në Pragë javën e kaluar, tha të hënën kryeministri i Çekisë, Petr Fiala.

Një i dyshuar, 26 vjeç, u arrestua të shtunën dhe ngarkohet me akuzën për terrorizëm në lidhje me sulmin e dështuar të së enjtes.

I dyshuari, i cili vjen nga Amerika Latine, mund të dënohet me burgim të përjetshëm nëse shpallet fajtor, tha shefi i policisë Martin Vondrasek.

“Ka dyshim se sulmi me gjasë u organizua dhe u financua nga Rusia”, tha Fiala.

Ai theksoi se sulmi i dështuar ishte mbase pjesë e luftës hibride të Rusisë kundër vendit të tij.

Fiala shtoi se ky tentim ishte pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme të Rusisë “për ta minuar besimin e qytetarëve në shtetin tonë”.

Çekia është mbështetëse e madhe e Ukrainës në luftën e saj kundër pushtimit rus, i cili nisi më 2022.

“Fatkeqësisht, ky nuk është rasti i parë”, tha Fiala, duke përmendur një shpërthim të madh në një depo municioni që dyshohet se u shkaktua nga spiunët rusë.

Liderët çekë thanë më 2021 se kishin dëshmi që provonin pjesëmarrjen e dy agjentëve nga agjencia ushtarake e spiunazhit e Rusisë në shpërthimin e vitit 2014, ku u vranë dy njerëz.

Rusia e ka mohuar e ka gisht.

Pas sulmit të së enjtes me zjarrvënie, ministri i Brendshëm çek Vit Rakusan sugjeroi se sulme të ngjashme mund të planifikohen në vendet e tjera evropiane, por nuk pranoi të japë hollësi.

Policia e rriti sigurinë në kryeqytetin çek gjatë fundjavës, për shkak të këtij rasti që ndodhi në kohën kur po mbaheshin zgjedhjet për Parlamentin Evropian.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG