Ndërlidhjet

Kroacia hyn në Eurozonë dhe Shengen


Kufiri midis Bosnjë e Hercegovinës dhe Kroacisë. Fotografi ilustruese.
Kufiri midis Bosnjë e Hercegovinës dhe Kroacisë. Fotografi ilustruese.

Kroacia më 1 janar ndryshoi monedhën e saj në euro dhe zyrtarisht hyri në zonën pa viza të Evropës, Shengen – dy ngjarje të rëndësishme për këtë shtet që është anëtarësuar në Bashkimin Evropian pothuajse një dekadë më parë.

Në mesnatë, ky shtet ballkanik ndryshoi monedhën nga kuna në euro dhe u bë anëtari i 20-të i Eurozonës.

Po ashtu, Kroacia u bë shteti i 27-të që hyri në zonën e udhëtimit pa pasaporta, Shengen, zonë që mundëson lëvizjen e lirë mes shteteve anëtare të mbi 400 milionë banorëve.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, do të vizitojë më vonë gjatë të dielës Kroacinë për të shënuar këto arritje.

Ekspertët thanë thënë se përdorimi i euros do t’i ndihmojë Kroacisë që të ruajë ekonominë në kohën kur inflacioni është rritur në mbarë botën pas pushtimit rus të Ukrainës, që ka rritur çmimet e ushqimit dhe karburanteve.

Niveli i inflacionit në Kroaci në nëntor arriti në 13.5 për qind, që është nivel më i lartë krahasuar me 10 për qind inflacion në Eurozonë.

Por, kroatët kanë ndjenja të përziera kalimit në euro. Përderisa ata mirëpresin futjen në zonën Shengen, shumë të tjerë janë të shqetësuar se kalimi në euro do të çojë në rritje të çmimeve.

“Do të qajmë për kunën tonë, çmimet do të rriten”, tha për AFP-në, Drazen Golemac, një pensionist nga Zagrebi.

Megjithatë, përdorimi i euros veçse është i përhapur në Kroaci, teksa rreth 80 për qind e depozitave bankare janë në euro.

Zyrtarët kanë mbrojtur vendimin që t’i bashkohen Eurozonës dhe Shengenit, me kryeministrin kroat, Andrej Pllenkoviq, që tha më herët gjatë kësaj jave se këto janë “dy qëllime strategjike për integrim më të thellë evropian”.

Kroacia, ish-republikë jugosllave, me 3.9 milionë banorë, u anëtarësua në BE më 2013.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG