Ndërlidhjet

Kroacia bllokon ekstradimin e të dyshuarit për vrasjen e një pjesëtari të Hamasit


Ilustrim
Ilustrim

Allen Çamxhiq, i dyshuar për vrasje nga autoritetet e Tunizisë, u lirua nga një burg në Zagreb dhe iu dorëzua organeve të Bosnje dhe Hercegovinës, konfirmoi për Shërbimin e Ballkanit të Radios Evropa e Lirë avokati i tij në Kroaci, Kreshmir Shkarica.

Çamxhiq, shtetas i Bosnjës, kërkohet nga Tunizia për përfshirjen e tij të dyshuar në vrasjen e një tuniziani, për të cilin grupi palestinez Hamas thotë se ka qenë pjesëtar i tij.

Çamxhiq e mohon çdo lidhje me vrasjen e Mohammed al-Zawarit, inxhinier i hapësirës ajrore dhe ekspert i avionëve, i cili është qëlluar për vdekje në dhjetor të vitit 2016, pranë qytetit tunizian Sfaks.

Gjykata kroate tha se Tunizia nuk ka dhënë garanci se boshnjaku i arrestuar, nëse dorëzohet, nuk do të përballet me dënim të mundshëm me vdekje.

“Nuk ka dilemë se i dyshuari akuzohet për një nga krimet më të këqija, por kur ekziston rreziku i dënimit të mundshëm me vdekje, ekstradimi nuk mund të lejohet”, tha gjykata.

Javë më parë, Bosnja dhe Hercegovina po ashtu refuzoi ekstradimin e Elvir Sharacit, një i dyshuar tjetër për të njëjtin rast.

Autoritetet në Tunizi kanë thënë se kanë arrestuar dhjetë tunizianë, porse dy shtetas të Bosnjës që kanë ndihmuar në komplotimin e vrasjes, kanë ikur.

Hamasi ka fajësuar Izraelin dhe agjencinë e tij sekrete Mossad për vrasjen e al-Zawarit

Hamasi i ka cilësuar Çamxhiqin dhe Sharacin si “spiunë të Izraelit”.

Çamxhiq ka shërbyer në polici gjatë luftës së Bosnjë, në vitet 1990, dhe është bërë ushtar profesionist pas konfliktit.

Mediat në Bosnje raportojnë se Çamxhiq, pas vitit 2000, ka qenë i angazhuar nga vendet e Perëndimt në Irak, për trajnimin e njësive ushtarake lokale.

Tunizia, më herët, ka konfirmuar se “elemente të huaja” kanë qenë të përfshira në vrasjen e al-Zawarit.

Menjëherë pas vdekjes së tij, Hamasi ka thënë se ai ka qenë ekspert i dronëve dhe se ka qenë pjesëtar i kësaj organizate për dhjetë vjet, përpara se të vritej nga “tradhtia zioniste”.

Izraeli nuk u është përgjigjur akuzave se qëndron prapa vrasjes.

Izraeli ka luftuar disa luftëra me Hamasin, i cili sundon Rripin e Gazës, dhe ka vrarë disa anëtarë të lëvizjes islamike në të kaluarën.

Në nëntor të 2017-ës, familja e al-Zawarit ka dënuar, siç ka thënë, heshtjen e autoriteteve dhe u ka bërë thirrje atyre të ofrojnë më shumë detaje në lidhje me hetimet.

Muajin e kaluar, Izraeli po ashtu është akuzuar për vrasjen në Malajzi të Fadi al-Batsh, një shkencëtar i Hamasit, i cili thuhet se ka qenë ekspert i raketave.

Familja dhe miqtë e Batshit akuzuan agjencinë e spiunazhit Mossad për kryerjen e vrasjes në Kuala Lumpur, më 21 prill.

Përgatiti: Valona Tela

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG