Ndërlidhjet

Kriza në Lindje të Mesme po përshkallëzohet, zgjidhjet diplomatike po zbehen


Një burrë duke shikuar ndërtesat e shkatërruara nga sulmet ajrore izraelite në Bejrut. Tetor 2024.
Një burrë duke shikuar ndërtesat e shkatërruara nga sulmet ajrore izraelite në Bejrut. Tetor 2024.

Lufta e Izraelit në dy fronte, në Rripin e Gazës dhe Liban, si dhe kërcënimi për përshkallëzim me Iranin, i kanë vënë zjarrin krizës në Lindje në Mesme.

Mirëpo, pavarësisht rrezikut për një luftë të madhe mes fuqive rajonale, Izraelit dhe Iranit, ekspertët vlerësojnë se nuk ka shumë apetit për zgjidhje diplomatike.

Ekspertët besojnë se situata është kështu pasi nuk ekziston një shtysë e madhe për paqe, dhe që aktorët e vetëm që mund të ndryshojnë situatën, ose janë duke hezituar, ose janë në pozitë që mund të përfitojnë nga përshkallëzimi.

“Ekzistojnë zgjidhje diplomatike për krizën, mirëpo ato duhet të kenë në qendër çlirimin e Palestinës, sepse këtu është rrënja e konfliktit”, ka thënë Trita Parsi, bashkëthemelues i Institutit Quincy, me bazë në Uashington.

Sipas tij, pengesa kryesore për të pasur një rezultat konkret qëndron te “refuzimi i Uashingtonit për ta shtyrë Izraelin që t’i japë fund pushtimit”.

Mirëpo, nëse Shtetet e Bashkuara “ndryshojnë rrënjësisht qasjen, këto zgjidhje diplomatike do të bëhen mjete politike”.

Shtetet e Bashkuara janë aleatet kryesore të Izraelit, të cilat e furnizojnë me armë dhe ndihmë tjetër këtë shtet.

Pavarësisht kësaj, Izraeli e ka çuar përpara planin e vet, duke i bërë rezistuar edhe presionit amerikan, andaj është e paqartë nëse edhe lojtarët tjerë në luftë do të zvogëlonin aktivitetet ushtarake, si përgjigje ndaj shtensionimit izraelit.

Izraeli është aktualisht i përfshirë në dy fronte të luftës, kundër grupeve të përkrahura nga Irani, dhe të shpallur terroriste nga Shtetet e Bashkuara.

Bëhet fjalë për Hamasin në Rripin e Gazës dhe Hezbollahun në Liban.

Izraeli e ka nisur luftën në Gazë një vit më vonë, si shenjë hakmarrjeje për sulmet vdekjeprurëse të Hamasit në territorin e tij.

Së fundmi, lufta është zgjeruar edhe në Liban, pasi Izraeli, përmes bombardimeve ajrore dhe inovacionit tokësor, po synon të shkatërrojë infrastrukturën e Hezbollahut dhe t’ia pamundësojë sulmet me raketa.

Hezbollahu është grup i armatosur dhe parti politike që kontrollon pjesën më të madhe në jug të Izraelit.

Bashkimi Evropian nuk e ka vënë në listë të zezë krahun politik të grupit, i cili ka ulëse në Parlamentin e Libanit.

Irani, i cili i ka ndihmuar Hezbollahut për katër dekada që t'i forcojë kapacitetet luftarake në luftën kundër armikut të përbetuar, Izraelit, është përfshirë edhe vetë në sulme direkte kundër Izraelit, në muajt e fundit, duke i rritur shqetësimet për një luftë të madhe mes dy shteteve me ndikim të madh në rajon.

Ekspertët i kanë thënë Radios Evropa e Lirë se ndonëse Izraeli po lufton në dy fronte, ai është më i interesuar që të angazhohet në përpjekjet diplomatike me Hamasin, me qëllim të lirimit të pengjeve izraelite që mban Hamasi që një vit.

Sondazhet e fundit kanë treguar se opinioni publik izraelit e konsideron lirimin e pengjeve si objektivin kryesor të luftës në Gazë.

Vrasja e liderit të Hamasit, Yahya Sinwar, organizatorit të dyshuar të sulmeve të 7 tetorit, dhe i konsideruar nga Uashingtoni si “pengesë e madhe për paqe”, shihet, gjithashtu, si një mundësi për të ndryshuar kahen e situatës.

Departamenti amerikan i Shtetit e ka karakterizuar vdekjen e Sinwarit – të vrarë nga autoritetet izraelite më 17 tetor – si një mundësi për t’i dhënë fund konfliktit në Gazë dhe për të garantuar lirimin e pengjeve.

Presidenti amerikan, Joe Biden, ka thënë se tani është koha për të ecur përpara dhe për të arritur një armëpushim.

Në Liban, vetëm Hezbollahu dhe aleati i tij i ngushtë Irani, duan armëpushim, sepse grupi militant është përballur me “goditje të fuqishme”, sipas ekspertit për Lindje të Mesme, Kenneth Katzman, këshilltar i lartë në qendrën për konsulencë Soufan Group, me bazë në Nju Jork.

“Nuk mendoj që Izraeli dëshiron me doemos shumë diplomaci”, ka thënë ai.

Zyrtarët iranianë, në anën tjetër, kanë kryer një mori vizitash në shtetet e Gjirit Arab, në përpjekje e sipër për t’i bindur që të parandalojnë Izraelin nga goditjet në pika kyçe në Iran.

Shqetësimet për sulme izraelite kundër qendrave të naftës dhe atyre bërthamore, janë rritur edhe më shumë, prej kur Irani ka nisur rreth 180 raketa balistike ndaj Izraelit, më 1 tetor.

Ndonëse disa shtete të Gjirit Arab i kanë normalizuar marrëdhëniet me Iranin dhe Izraelin, ekspertët janë skeptikë nëse ata kanë ndikim në arenën diplomatike.

“Shtetet arabe kanë pak ndikim te Izraeli, por kanë ndikim te Uashingtoni”, ka thënë Parsi në disa komente me shkrim.

Ekspertët besojnë se shtetet e Gjirit Arab, por edhe Uashingtoni, përfitojnë nëse qëndrojnë larg, sepse duan të shohin Hezbollahun duke u dobësuar sa më shumë që është e mundshme.

Thanassis Cambanis, drejtor në Institutin Century Foundation, me bazë në Shtetet e Bashkuara, ka thënë se Arabia Saudite dhe shumica e vendeve të Gjirit Arab “kanë gatishmëri të tolerojnë, ose edhe mbështesin” luftën kundër Hezbollahut, sepse u mundëson atyre të rrisin konkurrencën ndaj Iranit në rajon.

Cambanis ka thënë se në Gazë “nuk ekziston shtytje” që Hamasi dhe Qeveria izraelite të punojnë drejt një armëpushimi, sepse zgjatja e konfliktit i ndihmon secilës palë që të qëndrojë në pushtet.

Sipas tij, një proces diplomatik që përfshin përfitime nga ana e Shteteve të Bashkuara, “mund t’i japë lehtësisht fund konfliktit”.

Megjithatë, ai ka thënë diplomacia nuk mund t’i zgjidhë problemet tjera që ndërlidhen me luftën.

“Nuk mendoj që është reale të presim që diplomacia të prezantojë një zgjidhje afatgjatë për konfliktin izraelito-palestinez. As nuk pres që diplomacia të gjejë urgjent një zgjidhje afatgjatë për mosmarrëveshjet në mes të Libanit dhe Izraelit”, ka thënë Cambanis.

Përgatiti: Krenare Cubolli

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG