Këshilli Evropian pezulloi pjesërisht marrëveshjen për lehtësimin e vizave me Bjellorusinë, për shkak të, siç tha, nxitjes së krizës me migrantë në kufirin me Poloninë.
Këshilli Evropian e cilësoi këtë si “sulm hibrid” të Minskut.
Sipas vendimit të tij, pezullimi i pjesëve të marrëveshjes - e cila i redukton kërkesat për dokumente dhe tarifat e aplikimit për vizë - nuk do t’i prekë qytetarët e zakonshëm bjellorusë, por vetëm zyrtarët.
“Ne e dënojmë dhe kundërshtojmë fuqishëm instrumentalizimin e vazhdueshëm të migracionit nga regjimi i Bjellorusisë”, tha ministri i Brendshëm slloven, Ales Hojs, i cili kryeson Këshillin e Punëve të Brendshme.
“Është e papranueshme që Bjellorusia të luajë me jetët e njerëzve për qëllime politike. Vendimi i sotëm tregon edhe një herë angazhimin tonë të përbashkët, për të vazhduar kundërshtimin e këtij sulmi të vazhdueshëm hibrid”, tha Hojs.
Vendimi erdhi pasi Polonia mbylli të martën një vendkalim përgjatë kufirit të saj me Bjellorusinë, sepse migrantët në anën bjelloruse u përpoqën të çanin një gardh, për të hyrë në Poloni - vend anëtar i BE-së.
Kryeministri polak, Mateusz Morawiecki, shkroi në Twitter se “stabiliteti dhe siguria e të gjithë BE-së është në rrezik”, për shkak të krizës së migrantëve, e cila ka lënë rreth 4,000 veta të bllokuar përgjatë kufirit Poloni-Bjellorusi.
Kriza me migrantë në këtë zonë po vazhdon tash e sa muaj.
Mijëra njerëz - kryesisht nga Lindja e Mesme dhe Azia - kanë bërë përpjekje për të kaluar ilegalisht kufirin e Polonisë.
Bashkimi Evropian e akuzon Qeverinë e Bjellorusisë për nxitjen e fluksit, si hakmarrje për sanksionet që ka ndërmarrë BE-ja kundër regjimit bjellorus.
Blloku evropian e ka sanksionuar regjimin bjellorus për shkak të shtypjes së opozitës.