Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, tha se donatorët ndërkombëtarë janë zotuar se do të ndajnë mbi një miliard dollarë ndihma për Afganistanin.
Konferenca e donatorëve - me përfaqësues nga rreth 40 vende - u mbajt të hënën në Gjenevë të Zvicrës.
“Kjo konferencë i ka përmbushur plotësisht pritjet e mia sa i përket solidaritetit me njerëzit e Afganistanit”, tha Guterres.
Kombet e Bashkuara vlerësuan më herët se Afganistanit i duhen mbi 600 milionë dollarë deri në fund të vitit, për të shmangur krizën humanitare.
Afganistani ka rënë nën kontrollin e talibanëve më 15 gusht.
Donatorët e huaj kanë siguruar më shumë se 75 për qind të buxhetit të këtij vendi, por ato pagesa janë ndalur kur militantët islamikë kanë marrë kontrollin.
Përveç kësaj, Afganistani është duke u përballur me thatësi të madhe.
Gjendjen e kanë rënduar edhe luftimet e viteve të fundit midis militantëve talibanë dhe forcave qeveritare, të mbështetura nga Perëndimi.
Më 7 shtator, talibanët kanë formuar Qeverinë e tyre.
Shumë vende kanë shprehur gatishmëri për të ofruar ndihmë humanitare, por edhe hezitim për t’iu dhënë qindra miliona dollarë talibanëve.
Talibanët kanë sunduar Afganistanin edhe në vitet 1996-2001, me një interpretim të ashpër të Ligjit islamik të Sheriatit, i cili ka kufizuar ndjeshëm të drejtat e njeriut.
Pavarësisht shqetësimeve, Guterres tha se “është e pamundur të sigurohet ndihmë humanitare brenda Afganistanit pa u angazhuar me autoritetet de facto”.
Ai shtoi se “është shumë i rëndësishëm angazhimi me talibanët në këtë moment”.
Kombet e Bashkuara u kanë bërë thirrje talibanëve që t'u japin punonjësve të ndihmës qasje të papenguar.
Video: