Ndërlidhjet

Kriza me lirën shihet si mundësi për të sfiduar Erdoganin


Valutë turke.
Valutë turke.

Kriza e valutës turke, lira, ka zvogëluar mbështetjen për presidentin turk, Recep Tayyip Erdogan, duke i dhënë opozitës mundësi të artë për të sfiduar liderin e shtetit – nëse fraksionet rivale mund të bashkohen, kanë thënë analistët.

Zgjedhjet e ardhshme pritet të mbahen në qershor të vitit 2023, mirëpo opozita është duke bërë thirrje për zgjedhje të parakohshme vitin e ardhshëm.

Duke qenë udhëheqës për 18 vjet, Erdogan është përballur me tentime të dështuara për puç më 2016, mirëpo tani përballet me sfida të mëdha ekonomike, meqë rritja e shkallës së inflacionit është duke prekur jetët e njerëzve.

Lira turke ka humbur më shumë se 40 për qind të vlerës kundrejt dollarit amerikan prej fillimit të këtij viti, teksa Erdogan vazhdon të mbrojë qëndrimet e tij se normat e ulëta të interesit rregullojnë inflacionin e lartë.

“Rritja e çmimeve dhe zhvlerësimi i lirës turke, bashkë me zhgënjimin publik dhe korrupsionin e përhapur, janë duke dëmtuar Qeverinë”, ka thënë Adeline Van Houtte, analiste evropiane për inteligjencë në grupin Economist.

“Disa parti janë duke garuar me ngulm kundër Erdoganit për votat konservatore dhe ato të qendrës së djathtë”.

Rënia e vlerës së valutës turke ka nxitur protesta javën e kaluar në Stamboll dhe kryeqytetin turk, Ankara, dhe turmat janë dëgjuar duke u ankuar për rritje të çmimeve.

“Secilën ditë ne pyesim veten si do të paguajmë qiranë, si do t’ia dalim deri në fund të muajit, çfarë çmime do të ketë në nesërmen nëpër dyqane”, ka thënë Ajshe Demirel nga Ankaraja.

Kemal Kilicdaroglu, lider i partisë kryesore opozitare, CHP, ka thënë se do të nisë organizimin e marsheve publike për të kërkuar zgjedhje të parakohshme.

“Sa më shumë vlerë që humb lira, aq më i kënaqur është Erdogan, sepse kjo situatë është në të mirë të atyre që kanë dollarë”, ka thënë Kilicdaroglu javën e kaluar.

Dollarë amerikanë.
Dollarë amerikanë.

“Ne kemi obligim që të nxjerrim qytetarët tanë nga zjarri. I them Qeverisë së Erdoganit se ka humbur aftësinë për të udhëhequr. Mos u frikësoni dhe dilni në zgjedhje”.

Mirëpo Erdogan nuk ka ndryshuar qëndrim.

“A jeni mjaftueshëm të fuqishëm për të thirrur zgjedhje të parakohshme në këtë shtet? Jo, nuk jeni!” ka thënë ai në disa komente të publikuara të hënën.

“Rritja e besimit”

Disa sondazhe kanë treguar se mbështetja për Erdoganin ka rënë.

Një prej tyre, i realizuar nga Metropoll, ka treguar se 41 për qind e turqve kanë përkrahur qasjen e tij në muajin shtator, në krahasim 48 për qind sa ka qenë në kohën e zgjedhjeve dhe gati 59 për qind më 2015.

Një tjetër sondazh i realizuar në muajin tetor ka treguar se 64 për qind e respodentëve nuk mendojnë se Qeveria e Erdoganit mund të zgjidhë problemet e shtetit.

Mirëpo i njëjti sondazh ka treguar se 55 për qind e tyre nuk mendojnë se opozita do të mund të kishte rezultat më të mirë nëse do të ishte në pushtet.

“Ende ka mungesë besimi në aftësinë e opozitës për të qeverisur, sidomos në aftësinë e saj për të menaxhuar krizën ekonomike”, ka thënë Seda Demiralp, profesoreshë e shkencave politike në Universitetin Isik.

Sipas saj, votuesit e partisë së Erdoganit, Partia për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP), hezitojnë apo vendosin të mos votojnë për ndonjë parti tjetër” sepse nuk pëlqejnë opozitën, sidomos agjendën sekulare të partisë opozitare, CHP.

“Kriza ekonomike e ka bërë më të vështirë se kurrë që AKP të fitojë sërish, mirëpo opozita duhet të vazhdojë punën për fitim të besimit te votuesit e lëkundur të AKP-së”, ka thënë ajo për agjencinë e lajmeve AFP.

Opozitës i mungon një tjetër element kyç: një kandidat favorit për të garuar kundër Erdoganit.

“Ekonomia, gjithmonë çështje kyçe”

Partitë opozitare kanë më shumë se një të tretën e 600 ulëseve të parlamentit, derisa partia në pushtet AKP dhe partia partnere MHP kanë shumicën.

Shenjat e konsolidimit brenda opozitës – që deri më tani ka dështuar që të sfidojë seriozisht Erdoganin – mund të ndryshojnë situatën, kanë thënë analistët.

E ashtuquajtura Partia e Mirë, që i takon krahut të djathtë, është bërë bashkë me partinë CHP.

Dy grupe tjera që janë larguar nga radhët e partisë së Erdoganit, Partia e së Ardhmes dhe Partia për Demokraci dhe Progres, kanë kritikuar politikat qeveritare.

Ali Babacan, ish-ministër i Ekonomisë, ka thënë javën e kaluar në Twitter: Erdogan, ndaluni. Mjaft është mjaft… jemi duke u përmbytur”.

Seren Selvin Korkmaz, drejtore ekzekutive e Institutit IstanPol, me bazë në Stamboll, ka thënë se ekonomia gjithmonë ka ndryshuar lojën në historinë politike të Turqisë.

“Opozita ka më shumë përparësi në zgjedhjet e ardhshme, nëse partitë arrijnë të jenë bashkë dhe propozojnë agjendë të bindshme ekonomike dhe demokratike”, ka thënë ajo.

Mirëpo Houtte ka thënë se shtypja e protestave dhe ndryshimi potencial i ligjit për zgjedhjet, me qëllim të rritjes së gjasave për partinë AKP, po ashtu nënkupton se “nëse mbahen zgjedhjet e parakohshme më 2022, mundësitë e opozitës për të fituar këto zgjedhje janë secilën herë më të paqarta”.

Përgatiti: Krenare Cubolli

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG