Ndërlidhjet

Kuvendi miraton masat e emergjencës për energji elektrike


Termocentralet në Obiliq.
Termocentralet në Obiliq.

Kuvendi i Kosovës ka miratuar të mërkurën, më 29 dhjetor, vendimin e Qeverisë së Kosovës për masa emergjente në furnizimin e energjisë elektrike.

Vendimi është miratuar me 57 vota për, 17 abstenime dhe asnjë kundër.

Masat emergjente në furnizim me energji përfshijnë: vendosjen e kufizimeve në furnizim me energji për konsumatorët dhe vendosjen e obligimeve të veçanta për ndërmarrjet e energjisë.

Qeveria e Kosovës më 24 dhjetor vendosi masa të emergjencës në furnizim të energjisë elektrike, të cilat do të vlejnë maksimalisht 60 ditë.

Që nga 22 dhjetori, konsumatorët në Kosovë po përballen me reduktime të energjisë elektrike.

Situata energjetike është përkeqësuar pasi konsumi i energjisë nuk po mund të mbulohet nga kapacitetet prodhuese të Korporatës Energjetike të Kosovës.

Sipas Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Kosova aktualisht prodhon deri në 600 megavatë rrymë në orë, kurse konsumi ka arritur deri në 1,400 megavatë në orë.

Në tregun botëror, çmimi i rrymës është shtrenjtuar dukshëm.

Nga 69 euro për megavatë sa ishte çmimi vitin e kaluar, në këtë periudhë çmimi i importit të rrymës arriti deri në 600 euro për megavat, ka thënë zëdhënësi i Kompanisë Kosovare për Distribuim të Energjisë Elektrike, Viktor Buzhala.

Fatura e energjisë elektrike në Kosovë mund të shtrenjtohet për 7 për qind në muajt e ardhshëm. Një rritje të tillë e ka kërkuar Kompania Kosovare për Distribuim të Energjisë Elektrike (KEDS).

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se për shkak të krizës energjike zgjidhja ka qenë ndërmjet reduktimit të rrymës apo shtrenjtimit të saj.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG