Ndërlidhjet

Alarmi për krizë energjetike tmerron bizneset prodhuese


Fabrikë e ujit në Gjilan, foto arkiv
Fabrikë e ujit në Gjilan, foto arkiv

Bizneset prodhuese në Kosovë, ndër vite janë ballafaquar me problemin e furnizimit me energji elektrike, gjendje kjo që vlerësohet se u ka shkaktuar humbje të mëdha.

Ndërkohë, nëse nuk gjendet një zgjidhje e shpejtë, situata paralajmërohet se do të rëndohet tutje gjatë javëve të ardhshme. Autoritetet përgjegjëse kanë paralajmëruar se Kosova ‘do të përballet me një krizë energjetike për shkak të shpenzimit të rezervave të qymyrit’.

Safet Gërxhaliu, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës e cila përfaqëson bizneset në vend, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se situata e krijuar me energji elektrike ka alarmuar bizneset në vend.

Adresimi i problemeve nga sektori privat rreth energjetikës ka qenë ndër vite, por shumë pak janë marrë në konsideratë. Jemi dëshmitarë që edhe sot, 18 vjet pas luftës, kemi kompani prodhuese që funksionojnë vetëm me agregat (gjenerator rryme) sepse nuk i besojnë furnizimit me energji elektrike”.

Kemi kompani të cilat kanë humbje të shumta nga shkyçjet ose ndërprerjet e energjisë. Kosova edhe më tutje e paguan energjinë elektrike më shtrenjtë dhe nuk ka çmim të veçantë për bujqësi, për amvisëri dhe industri. A nuk qenkan këto paradokse që duhet t’i takojnë të kaluarës dhe jo të merremi sot?”, thekson Gërxhaliu.

Kosova pranë kolapsit energjetik
Ju lutem prisni
Bashkëngjite

No media source currently available

0:00 0:01:36 0:00

Autoritetet në Kosovë, ndërkohë kanë diskutuar të martën për tejkalimin e vështirësive me të cilat pritet të ballafaqohet vendi, për prodhimin e energjisë elektrike.

Në një komunikatë për media të lëshuar nga zyra e kryeministrit në largim të Kosovës, Isa Mustafa thuhet se do të përshpejtojnë të gjitha veprimet për të adresuar dhe zgjidhur sa më shpejtë të gjitha problemet, në mënyrë që pengesat pronësore të mos vënë në rrezik prodhimin e energjisë elektrike.

Pritet që qytetarët, të cilat kanë prona në atë pjesë, të bashkëpunojnë me KEK-un dhe institucionet shtetërore, për të hapë rrugë që vendi të mos vjen në rrezik rreth energjisë elektrike, duke përfituar të gjitha të drejtat që atyre u takojnë. Prandaj, pengesat e përkohshme, vetëm sa mund ta dëmtojnë vendin dhe të krijojnë obligime të paparashikueshme të importit të energjisë elektrike”, thuhet në komunikatë.

Projektet si Termocentrali “Kosova e re” dhe projektet për energji alternative, të cilat ishte thënë se mund ta eliminojë problemin me energji elektrike, kanë ngecur dhe nuk kanë arritur të finalizohen.

Ndërtimi i termocentralit të ri, përgatitjet për të cilin kanë filluar më shumë se një dekadë, ende është në proces dhe nuk dihet se kur do të fillojë ndërtimi i tij.

Këto zvarritje të bëra në projektet që lidhen me furnizim stabil me energji elektrike, Gërxhaliu i quan shqetësuese. Sipas tij, dështimi i këtyre projekteve dëshmon se të gjitha këto kanë natyrë politike dhe korruptive sesa reale.

Ajo që është shqetësuese dhe kam drojë që shumë qarqe të caktuara të lidhur me politikën shumë më të leverdishme ekonomikisht e shohin importin e energjisë elektrike nga vendet e rajonit, në veçanti nga Serbia, sesa të gjenerohen kapacitete të reja”.

Vetë fakti që janë bërë miliona euro investime në autorrugën energjetike mes Kosovës dhe Shqipërisë, dhe më tutje nuk është funksional, është një dëshmi që interesat e grupeve të caktuara dhe ato të lidhura me politikat janë më të fuqishme se zbatimi i strategjive të shtetit”, thekson Gërxhaliu.

Në anën tjetër, njohës të fushës së energjisë në Kosovë thonë se keqmenaxhimi i bëra në sektorin e energjisë për vite, ka lënë Kosovën pa një furnizim stabil me energji elektrike.

Hamdi Malushaj, drejtor në kompaninë “ Evroenergie”, kompani kjo që merret me analiza dhe studime të çështjeve energjetike në tregun e Kosovës dhe Gjermanisë, thotë se janë bërë gabime të mëdha në projektet e sektorit të energjisë.

Problemi energjetik në Kosovë është pikërisht nga menaxhimi i keq i sektorit të energjisë. Duke u munduar të përfitohet nga ky sektor nga grupe të ndryshme, Kosova sot ka këtë situatë me energjinë. Janë bërë shpenzime të mëdha në projektin e termocentralit ‘Kosova e re’ dhe tani është një projekt i dështuar. E gjithë kjo situatë e krijuar kërkon shumë punë për ta ndryshuar”, thekson Malushaj.

Kolapsi energjetik që e pret Kosovën, thuhet se do të ndikojë edhe në rritjen e çmimit të energjisë elektrike.

Kjo situatë ka alarmuar qytetarët të cilët do të mund të preken nga reduktime e rrymës, si dhe punëtoret e Korporatës Energjetike të Kosovës, të cilët rrezikojnë të mbesin pa punë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG