Ndërlidhjet

Liderët e së djathtës ekstreme e kritikojnë BE-në për imigrim


Bruksel
Bruksel

Liderët e së djathtës ekstreme nga disa vende evropiane janë takuar në kryeqytetin Pragë të Çekisë, me ç’rast e kanë kritikuar Bashkimin Evropian, për atë që ata e kanë quajtur politikë të “imigrimit masiv”.

Konferenca e së shtunës e grupit të krahut të djathtë në Parlamentin Evropian, Lëvizja për Evropën e shteteve dhe lirisë, i ka tubuar, pos të tjerëve, edhe Marine Le Pen, nga Franca, zëvendëskancelarin austriak, Heinz-Christian Strache, dhe politikanin holandez, Geert Wilders.

Mikpritës i këtij takimi ishte Partia për liri dhe demokraci direkte e Çekisë (SPD), e cila i ka fituar afro 11% të votave në zgjedhjet parlamentare të organizuara në muajin tetor, me platformën anti-myslimane dhe kundër migrantëve.

“Brukseli është një kërcënim ekzistencial për shtetet tona”, tha Wilders, gjatë kritikave në adresë të Bashkimit Evropian dhe ka shtuar se shpreson se “çekët do ta mbajnë fuqishëm derën e mbyllur për migrimin masiv”, tha Heinz-Christian Strache.

Liderja e Frontit Kombëtar të Francës, Marine Le Pen, e ka mirëpritur shpalljen, sipas së cilës në Austri është krijuar qeveria, ku përfshihet një parti e së djathtës ekstreme, e udhëhequr nga Heinz-Christian Strache.

Ajo vlerësoi se ky “është lajm shumë i mirë, lajm i shkëlqyeshëm për Evropën” dhe i ka mbështetur kritikat e ashpra të zotit Wilders ndaj Bashkimit Evropian.

“Ne nuk jemi ksenofobë, ne jemi kundërshtarë të Bashkimit Evropian”, tha Marine Le Pen, që ishte kandidate presidenciale në Francë, në zgjedhjet e muajit maj, kur fitoi Emmanuel Macron.

“Mendoj se kjo është diçka e përbashkët me të djathtën ekstreme në Republikën e Çekisë, pasi Bashkimi Evropian është një organizatë shkatërruese, e cila e udhëheq kontinentin tonë në shkatërrim, nëpërmjet dobësimit, pastaj duke sjellë imigrantë, duke e mohuar kulturën e shteteve përkatëse, duke e shterur diversitetin tonë, pasi ne e duam diversitetin”, tha Marine Le Pen.

“Mua më pëlqen fakti se holandezët janë holandezë, çekët janë çekë, se francezët janë francezë dhe se italianët janë italianë”, është shprehur Le Pen, e cila ishte ulur afër liderit të partisë çeke të së djathtës ekstreme SPD, Tomio Okamura, babai i të cilit është japonez.

“Ne e dëshirojmë një Evropë që e respekton individualitetin kombëtar, identitetin kombëtar dhe lirinë”, tha Okamura.

Afër sallës në Periferi të Pragës, ku mbahej kjo konferencë e liderëve të së djathtës ekstreme evropiane, kanë protestuar afro 200 vetë.

Ne dëshirojmë të tregojmë se Republika Çeke nuk është indiferente ndaj manifestimeve të urrejtjes, përhapjes së dezinformacionit, të cilën po e kryen partia SPD”, tha organizuesi i protestës, Jan Cemper.

Liderët e tjerë të së djathtës ekstreme, që morën pjesë në konferencën e Pragës, ishin nga Italia, Belgjika, Polonia, Gjermania dhe Britania e Madhe.

Përgatiti: Fatmir Bujupi

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG