Kremlini i ka hedhur poshtë raportimet në media se është zhvilluar një bisedë telefonike mes presidentit të zgjedhur amerikan, Donald Trump, dhe presidentit rus, Vladimir Putin, duke thënë se raportimet janë “krejtësisht të rreme”.
E përditshmja amerikane, Washington Post, duke cituar burime të afërta me Trumpin, ka raportuar më 10 nëntor se Trump ka folur me Putinin në telefon, më 7 nëntor, dhe kanë diskutuar për luftën në Ukrainë.
Sipas saj, Trump e ka zhvilluar bisedën nga Florida, një ditë pas ka folur me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky.
Burime anonime, të cituara nga gazeta, kanë thënë se Trump i ka thënë Putinit të mos përshkallëzojë luftën në Ukrainë, dhe ka shprehur interesim për bisedime të mëtejme për “të zgjidhur çështjen e luftës në Ukrainë shpejt”.
Edhe agjencia e lajmeve Reuters ka raportuar për këtë thirrje telefonike.
“Është plotësisht e pavërtetë. Është gjë plotësisht e shpikur, është informacion i rremë”, ka thënë zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov për media, më 11 nëntor.
“Nuk është zhvilluar asnjë bisedë”.
Fillimisht, Putin është treguar i ftohtë ndaj fitores së Trumpit në zgjedhje, ndërsa më 7 nëntor e ka uruar publikisht.
Ai e ka lavdëruar “kurajën” e Trumpit kur i ka mbijetuar tentim-vrasjes ndaj tij, në korrik, dhe ka thënë se është “gati” të flasë me të.
“Ky është shembulli më i pastër i kualitetit të informacionit që është duke u publikuar në ditët e sotme, ndonjëherë edhe nga media me nam”, ka thënë Peskov.
Sipas tij, nuk ekzistojnë “plane konkrete” për një thirrje të tillë.
Ai ka thënë, gjithashtu, se Kremlini ka vërejtur “një dozë nervozizmi” në Evropë, pas rizgjedhjes së Trumpit.
Sa ka qenë duke bërë fushatë për zgjedhjet e 5 nëntorit, Trump ka pretenduar se do t’i japë fund luftës në Ukrainë, pa ofruar hollësi se si planifikon të arrijë deri aty.
Trump ka dhënë sinjale që Ukrainës mund t’i duhet të pajtohet për të dhënë territor, në mënyrë që të arrijë paqe me Rusinë.
Njerëz që kanë njohuri për thirrjen telefonike, kanë thënë për gazetën amerikane, Washington Post, se Kievi është informuar për thirrjen e Trumpit me Putinin dhe nuk ka kundërshtuar.
Megjithatë, zëdhënësi i ministrisë së Jashtme të Ukrainës, Heorhiy Tikhiy, ka thënë më 10 nëntor për Reutersin se Kievi nuk ka qenë në dijeni për këtë thirrje telefonike.
Presidenti rus, Vladimir Putin, e quan luftën “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.
Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.
Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.