Kremlini tha se doktrina e përditësuar bërthamore, që do t’i lejojë Moskës që të përdorë armë bërthamore kundër shteteve që nuk kanë armë bërthamore, duhet të shihet si një paralajmërim për Perëndimin.
Presidenti rus, Vladimir Putin, njoftoi për zgjerimin e rregullave në Rusi sa i përket përdorimit të armëve bërthamore.
Propozimi do t’i lejojë Moskës që të përgjigjet me armë bërthamore kundër shteteve jobërthamore, nëse ato mbështeten nga fuqi bërthamore, që duket se është një referencë për Ukrainën dhe mbështetësit e saj perëndimor.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se ndryshimet “duhet të shihen si sinjal specifik”.
“Një sinjal që paralajmëron këto shtete për pasoja nëse ato marrin pjesë në një sulm ndaj shtetit tonë me mjete të ndryshme, jo domosdo bërthamore”, tha Peskov për gazetarët.
Pa e përmendur Ukrainën, Peskov tha se “parandalimi bërthamor i Rusisë po ndryshohet duke marrë për bazë elementet e tensionit që po zhvillohen përgjatë perimetrit të kufijve tanë”.
Ai po ashtu tha se “nuk ka dyshim” që Rusia po forcon arsenali e saj bërthamor.
Njoftimet për përditësimin e doktrinës bërthamore të Rusisë vijnë në kohën kur Ukraina po kërkon që të marrë leje nga Perëndimi që të përdorë armët perëndimore për të kryer sulme me rreze të gjatë thellë brenda Rusisë.
Rusia ka paralajmëruar kundër dhënies së lejes për sulme të tilla.
Perëndimi e ka akuzuar Putinin për retorikë të papërgjegjshme bërthamore përgjatë gjithë luftës në Ukrainë, që Moska e nisi në shkurt të vitit 2022. Moska ka kërcënuar disa herë se është e gatshme të përdorë armët e saj bërthamore.