Ndërlidhjet

KQZ-ja kërkon verifikimin e kandidatëve për zgjedhjet lokale


Një votuese duke e hedhur fletvotimin gjatë zgjedhjeve parlamentare në Prishtinë, Kosovë, 14 shkurt 2021
Një votuese duke e hedhur fletvotimin gjatë zgjedhjeve parlamentare në Prishtinë, Kosovë, 14 shkurt 2021

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka dërguar për verifikim emrat e 3.205 kandidatëve të partive të ndryshme politike, që marrin pjesë në zgjedhjet lokale , për të parë nëse ata plotësojnë kriteret për të marrë pjesë në zgjedhjet, që do të mbahen më 17 tetor.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, në një konferencë për media të mbajtur të premten, tha se edhe rreth 2.000 emra të tjerë do të dërgohen në institucione të ndryshme siç janë: Këshilli Gjyqësor i Kosovës, Ministria e Punëve të Brendshme, Agjencia e Kosovës për Inteligjencë, Ministria e Punëve të Jashtme, Ministria e Mbrojtjes dhe Doganës së Kosovës.

“Në nenin 29 të Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme janë të listuara të gjitha rastet kur një person nuk mund të certifikohet si kandidat, prandaj është kërkuar për secilin kandidat, nga secili prej këtyre institucioneve, të bëjnë verifikimin sipas fushës së përgjegjësisë që mbulojnë”, tha Elezi.

Sipas këtij ligji, një person nuk mund të kandidojë në zgjedhje nëse është gjykatës apo prokuror, nëse e drejta për të qenë kandidat i është hequr përmes një vendimi të gjykatës dhe nëse është shpallur fajtor për ndonjë vepër penale dhe ka vendim të plotfuqishëm në tri vjetët e fundit.

KQZ-ja, tha Elezi, planifikon që të dërgojë kërkesat për verifikimin e kandidatëve deri më 23 gusht dhe pret përgjigje nga institucionet deri më 24 gusht. Pas pranimit të përgjigjeve, Elezi tha se KQZ-ja, sipas planit operacional të zgjedhjeve, më së largu deri më 1 shtator do të bëjë certifikimin e kandidatëve për zgjedhje.

“Në rast të moscertifikimit të ndonjë kandidati apo subjekti, pala e pakënaqur me vendimin e KQZ-së mund të paraqesë ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa dhe në Gjykatën Supreme. Të gjitha këto çështje, planifikohet të përfundojnë deri më 6 shtator”, tha Elezi.

Për pjesëmarrje në zgjedhjet lokale që do të mbahen më 17 tetor kanë aplikuar 94 subjekte politike, prej tyre, 32 parti, një koalicion, 35 iniciativa qytetare dhe 26 kandidatë të pavarur.

Numri i përgjithshëm i kandidatëve që kanë aplikuar është 4.920, prej tyre 165 për kryetarë komunash dhe 4.757 për kuvende komunale.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG