Ndërlidhjet

KQZ kërkon nga Lista Serbe dhe një subjekt tjetër t'i zëvendësojnë anëtarët e dorëhequr prej KKZ-ve në veri


Fotografi ilustruese nga arkivi.
Fotografi ilustruese nga arkivi.

Sekretariati i Komisionit Qendror Zgjedhor (KQZ) ka kërkuar të martën prej dy subjekteve politike, Listës Serbe dhe Nismës Qytetare për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, që t’i zëvëndësojnë anëtarët e dorëhequr prej Komisioneve Komunale Zgjedhore (KKZ).

Zyrtarë të KQZ-së kanë bërë të ditur se anëtarët e KKZ-ve prej Listës Serbe janë dorëhequr në katër komunat veriore me shumicë serbe, Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potik, ndërsa anëtari i Nismës Qytetare për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë është dorëhequr në Mitrovicë të Veriut.

Sipas KQZ-së, dy subjektet kanë afat deri më 11 prill, në orën 16:00, që t'i nominojnë emrat e rinj.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka konfirmuar më 8 prill për Radion Evropa e Lirë se katër anëtarë të Listës Serbe janë dorëhequr prej KKZ-ve në komunat veriore.

Ai ka thënë se sipas Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme, KKZ-të administrojnë zgjedhjet brenda komunës përkatëse, nën mbikëqyrjen ekskluzive dhe udhëzimet e KQZ-së.

Lajmi është dorëheqjen e tyre është bërë i ditur vetëm një ditë pasi Lista Serbe – partia që gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar – ka thënë se nuk do të marrë pjesë në votimin për apo kundër shkarkimit të kryetarëve shqiptarë në katër komunat veriore, ndonëse më parë e ka përkrahur këtë proces.

Votimet në katër komunat janë planifikuar të mbahen më 21 prill.

“Qëndrimi i Listës Serbe është të mos marrë pjesë në referendumin e thirrur nga Albin Kurti [kryeministri i Kosovës], sepse ai bëri gjithçka që ai të dështojë”, ka thënë kryetari i Listës Serbe, Zllatan Elek, të dielën në një konferencë për media në Mitrovicën e Veriut.

Hapi që të votohet për apo kundër shkarkimit të kryetarëve të komunave në veri është marrë bazuar në një udhëzim administrativ të Qeverisë së Kosovës, që i ka hapur rrugën largimit të një kryetari nga pozita që mban.

Sipas udhëzimit të miratuar shtatorin e vitit të kaluar, që ky votim të jetë i suksesshëm, duhet 50 për qind, plus një votë e qytetarëve me të drejtë vote.

Pas kësaj, rezultati i dërgohet presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila ka afat ligjor prej 30 deri në 45 ditë për të shpallur mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.

Aktualisht në krye të komunave veriore janë katër shqiptarë, të cilët i kanë fituar zgjedhjet e prillit të vitit të kaluar, të bojkotuara nga Lista Serbe dhe një pjesë e serbëve lokalë.

Bashkimi Evropian ka shprehur keqardhje për thirrjen që ka bërë Lista Serbe për bojkotimin e votimit.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG