Ndërlidhjet

KQZ thotë se 28 subjekte politike aplikuan për certifikim për zgjedhje


Fotografi ilustruese nga arkivi.
Fotografi ilustruese nga arkivi.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë (KQZ) ka bërë të ditur se 28 subjekte politike kanë aplikuar për certifikim për pjesëmarrje në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit.

Sipas një njoftimi për media, pas mbylljes së afatit zyrtar, në mesin e 28 subjekteve politike janë 20 parti politike, pesë koalicione, dy iniciativa qytetare dhe një kandidat i pavarur.

Në mesin e subjekteve janë parti shqiptare, të komunitetit serb, dhe komuniteteve tjera më të vogla në Kosovë.

Valmir Elezi nga KQZ-ja, ka thënë se institucioni të cilit i përket do të bashkëpunojë me autoritetet kompetente për të bërë verifikimet lidhur me përshtatshmërinë, apo aftësinë e kandidatëve për t’u certifikuar për pjesëmarrje në zgjedhje.

Ai ka thënë se ka kërkuar nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës që t’ia dërgojë KQZ-së emrat e kandidatëve që janë të dënuar në tre vjetët e fundit me vendim gjyqësor të formës së prerë për vepër penale.

“Neni 30 parasheh disa raste se kur një person nuk mund të certifikohet si kandidat për deputet. Në këtë nen parashihet se një person nuk mund të certifikohet si kandidat, nëse është i dënuar në tre vjetët e fundit me vendim gjyqësor të formës së prerë për vepër penale me një ose më shumë vjet burgim efektiv”.

Lista e publikuar nga KQZ-ja

Parti politike: Lëvizja VETËVENDOSJE!, PARTIA DEMOKRATIKE E KOSOVËS, LIDHJA DEMOKRATIKE E KOSOVËS, SRPSKA LISTA, SRPSKI NARODNI POKRET, FJALA, PARTIA LIBRERALE EGJIPTIANE, NOVA DEMOKRATSKA STRANKA, INICIATIVA E RE DEMOKRATIKE E KOSOVËS, SOCIALDEMOKRATSKA UNIJA, KOSOVA DEMOKRATİK TÜRK PARTİSİ, Yenilikçi Türk Hareket Partisi, Jednstvena Goranka Partija (JGP), Partia e Ashkalinjëve për Integrim (PAI), Srpska Demokratija, PARTIJA KOSOVSKIH SRBA, ZA SLOBODU PRAVDU I POSTANAK, PARTIA BALLI KOMBETAR DEMOKRAT SHQIPETAR, PARTIA ROME E BASHKUAR E KOSOVËS, Kosova Adalet Türk Partisi.

Koalicione: Naša Bošnjačka Koalicija (Naša Inicijativa i Bošnjačka stranka), AAK - Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Nisma - Nisma Socialdemokrate, Lista Konservatore, Forumi intelektual - E- 30, Koalicioni për Familje, PDAK-LPB, Koalicija Vakat. Nisma Qytetare: Narodna Pravda, Opre Roma Kosova.

Kandidat i pavarur: Fatmir Bytyqi

KQZ-ja duhet t’i konfirmojë listat më së voni deri më 25 dhjetor.

Zgjedhjet e 9 shkurtit do të jetë zgjedhjet e para të rregullta parlamentare që do të organizohen në Kosovë, që nga shpallja e pavarësisë më 2008.

Për një kohë të gjatë, partitë opozitare kishin kërkuar mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme, por më herët gjatë këtij viti dështuan të arrinin pajtim se si të shkohet në zgjedhje.

Në fund të majit dështoi një nismë e subjektit më të madh opozitar, Partia Demokratike e Kosovës, që në zgjedhjet të shkohet përmes shpërndarjes së Kuvendit.

Kjo mundësi u kundërshtua nga dy partitë e tjera opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, të cilat kërkuan që Qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti të jepte dorëheqje apo të shkarkohej. Por, këto dy kërkesa u kundërshtuan nga Lëvizja Vetëvendosje e Kurtit.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG