Ndërlidhjet

KQZ shtyn afatet e aplikimit për zgjedhjet në veri 


Një qytetare në veri të Kosovës duke votuar në zgjedhjet e kaluara. Fotografi nga arkivi.
Një qytetare në veri të Kosovës duke votuar në zgjedhjet e kaluara. Fotografi nga arkivi.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë (KQZ) ka shtyrë deri më 25 nëntor, afatin e aplikimit për certifikim të subjekteve politike dhe kandidatëve për zgjedhjet e jashtëzakonshme, që do të mbahen në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës më 18 dhjetor.

Afati fillestar për procesin e aplikimit ishte caktuar deri më 21 nëntor.

Sipas KQZ-së, rrjedhimisht është shtyrë edhe afati për certifikimin ose jo të subjekteve dhe kandidatëve nga 26 nëntori më 28 nëntor.

KQZ-ja ka thënë se deri më tani ka pranuar dy aplikime për certifikim – nga Partia Demokratike e Kosovës për të katër komunat dhe nga Iniciativa Qytetare Mitrovica për zgjedhjet në Mitrovicë të Veriut.

Vendimi për ndryshim të afateve pason ankesën e anëtarit të KQZ-së nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Ali Rama, i cili ka konsideruar që afatet fillestare kanë qenë të shkurtra.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme në katër komunat - Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan – janë shpallur pas dorëheqjes së zyrtarëve që kanë qenë në këto pozita më 5 nëntor.

Ata kanë marrë këtë vendim, pas shkarkimit të drejtorit të Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Nenad Gjuriq, për shkak të refuzimit të zbatimit të vendimit të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e veturave me targa ilegale serbe në RKS – Republika e Kosovës.

Qeveria e Kosovës ka nisur zbatimin e vendimit për targat më 1 nëntor.

Serbët nga veriu i Kosovës dhe Beogradi zyrtar kundërshtojnë riregjistrimin e makinave dhe kërkojnë targa neutrale ndaj statusit të Kosovës.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq kanë diskutuar për këtë çështje të hënën në Bruksel, mirëpo palët nuk kanë arritur marrëveshje.

"Pas shumë orë diskutimesh, dy palët nuk u pajtuan për zgjidhjen sot", ka thënë kryediplomati i Bashkimit Evropian, Josep Borrell.

Plani i Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave me targa të lëshuara nga Serbia ka paraparë tri faza.

Faza e parë përfshinte qortimin e shoferëve, e dyta shqiptimin e gjobës prej 150 eurosh për ata shoferë, dhe e treta targat provuese.

Zbatimi i këtij plani është paraparë të përfundojë më 21 prill dhe nga ajo datë, parashihet që në komunikacion të lejohen vetëm makina me targa të ligjshme, RKS, apo Republika e Kosovës.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG