Ndërlidhjet

KQZ-ja nuk e certifikon Listën Serbe për pjesëmarrje në zgjedhje


Qendër votimi në Prishtinë. Fotografi ilustruese nga arkivi.
Qendër votimi në Prishtinë. Fotografi ilustruese nga arkivi.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) nuk e ka certifikuar Listën Serbe – partinë më të madhe të serbëve në Kosovë – për pjesëmarrje në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit.

Përfaqësues të partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), kanë dalë kundër certifikimit të kësaj partie - e cila gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar - duke përmendur që kjo parti nuk e njeh shtetin e Kosovës, dhe atij nuk i referohet me emrin zyrtar, por si "Kosova dhe Metohia".

Lista Serbe e ka konsideruar vendimin si të kundërligjshëm dhe ka paralajmëruar se kryetari i partisë, Zllatan Ellek, do të japë më shumë hollësi në paraditen e së martës.

Njohës të çështjeve politike vlerësojnë se moscertifikimi i kësaj partie është pjesë e parafushatës zgjedhore të partisë në pushtet.

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka pretenduar të hënën se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti po tenton “të eliminojë kundërshtarin e vetëm” në Kosovë, Listën Serbe.

“Kurti, me ndihmën e aleatëve të tij, synon të dëbojë popullin serb nga krahinat e jugut”, ka thënë Vuçiq përmes një postimi në llogarinë e tij në Instagram, pa ofruar më shumë hollësi.

Më vonë, Vuçiq ka thënë se ka biseduar edhe me ministrin e Jashtëm rus, Sergei Lavrov, për ato që i ka konsideruar shkelje të ligjit ndërkombëtar nga ana e Prishtinës, duke ia pamundësuar Listës Serbe pjesëmarrjen në zgjedhje.

Çfarë u tha në mbledhje?

Për certifikimin e Listës Serbe ka votuar vetëm kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, kundër kanë dalë dy anëtarët e LVV-së, Sami Kurteshi dhe Alban Krasniqi, ndërsa tjerët kanë abstenuar.

Arianit Elshani nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) parti në opozitë, ka abstenuar në votim, me arsyetimin se Zyra për Regjistrimin e Partive Politike, ka vlerësuar që Lista Serbe i plotëson të gjitha kriteret për certifikim, por që ndan shqetësimet e përmendura nga anëtarë të Lëvizjes Vetëvendosje.

Anëtarët e tjerë në mbledhjen e KQZ-së kanë thënë se Lista Serbe ka të drejtë të ankohet ndaj një vendimi të tillë, pasi Zyra për Regjistrimin e Partive Politike tashmë ka konfirmuar se kjo listë i plotëson të gjitha kriteret.

Zyra për Regjistrimin e Partive Politike është organ që vlerëson nëse një parti plotëson kriteret për pjesëmarrje në zgjedhje dhe ia dërgon rekomandimet panelit të KQZ-së.

Moscertifikimi, "pjesë e fushatës parazgjedhore"

Njohësi i zhvillimeve politike, Albert Krasniqi nga organizata joqeveritare Demokraci+, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se, moscertifikimi i Listës Serbe nga KQZ-ja, është pjesë e fushatës parazgjedhore që po bën Lëvizja Vetëvendosje.

Sipas tij, Lista Serbe do të ankohet në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) dhe do të hyjë në garën zgjedhore.

“Ligji për zgjedhjet e përgjithshme parasheh që subjektet politike që janë të regjistruar me automatizëm konsiderohen të certifikuara. Çfarë do të ndodhë është se ka afat ligjor, ku brenda 48 orëve Lista Serbe mund të ankohet në PZAP dhe pastaj ky panel ka edhe një afat shtesë prej 48 orëve të tjera për të marrë vendim. Gjithë kjo zhurmë do të zgjasë më së shumti katër ditë dhe jam i sigurt që PZAP-ja do ta kthejë mbrapa ketë vendim të KQZ-së, dhe do ta obligojë KQZ-në që ta certifikojë Listën Serb”, ka thënë Krasniqi.

Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se KQZ-ja është bërë sërish “pjesë e retorikës politike, duke marrë vendim në kundërshtim me ligjin dhe rregulloret e tjera në fuqi”.

Sipas tij, një vendim i tillë është vetëm për konsum ditor politik.

“Në fakt, nuk prodhon ndonjë pasojë, për shkak se Lista Serbe tashmë do ta ankimojë ketë rast, dhe bazuar në precedentin e vitit 2019, por edhe të zgjedhjeve të tjera të organizuara në Kosovë, PZAP-ja, do ta rrëzojë ketë vendim dhe do ta obligojë KQZ-në që ta certifikojë, madje është në atë rrethanë edhe pa pasur nevojë farë për votim”.

Cakolli ka sqaruar se vendimet e PZAP-së, apo në rastin tjetër të Gjykatës Supreme, janë drejtpërdrejt të zbatueshme dhe nuk nevojitet më fare votim për aprovim të aplikimit për certifikim ose jo.

Lista Serbe pati thënë se do të marrë pjesë në zgjedhje pas një periudhe të bojkotimit të proceseve politike në Kosovë.

Më 2022, pjesëtarë të kësaj partie patën dhënë dorëheqje në mënyrë kolektive nga institucionet e Kosovës, si shenjë kundërshtimi ndaj vendimeve të autoriteteve të Kosovës për shtrirje të autoritetit në gjithë territorin e vendit.

“Përfaqësues të kësaj Liste, mbajnë kontakte të vazhdueshme, shihen edhe nëpër fotografi, edhe në televizion me pushtetin e [presidentit serb, Aleksandar] Vuçiqit, por ku shihet edhe Radoiçiqi”, ka thënë Kurteshi, në arsyetimin e tij pse nuk duhet të certifikohet kjo parti.

Millan Radoiçiq ka qenë nënkryetar i Listës Serbe, deri në ditën kur e ka pranuar se e ka kryer sulmin e armatosur në Banjskë të Zveçanit, në shtator të vitit 2023.

Autoritetet e Kosovës e konsiderojnë këtë sulm si terrorist dhe e fajësojnë shtetin serb për organizim dhe kryerjen e tij, por Beogradi hedh poshtë këto akuza.

Kurteshi e ka përmendur që një tjetër arsye për moscertifikim të Listës Serbe është që ajo parti nuk e ka dënuar asnjëherë sulmin në Banjskë, dhe që nuk është distancuar asnjëherë nga "aktet terroriste që kanë ndodhur në Kosovë".

Kosova kërkon ekstradimin e Radoiçiqit në Kosovë, ndërsa ai besohet se është i lirë në Serbi.

KQZ: 27 subjekte politike të certifikuara për 9 shkurt

Përgjatë takimit të së hënës, KQZ-ja e ka certifikuar grupin e dytë të partive politike – 16 sosh me 626 kandidatë për deputetë.

Më 18 dhjetor është certifikuar grupi i parë – 11 subjekte politike me 606 kandidatë për deputetë.

Në total, në zgjedhjet e 9 shkurtit do të garojnë 27 parti politike.

Prej tyre, 19 janë parti politike, pesë koalicione, dy nisma qytetare dhe një kandidat i pavarur.

Numri i kandidatëve për deputetë ka shkuar në 1.232.

Zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit përbëjnë procesin e parë të rregullt zgjedhor në Kosovë, pas shpalljes së pavarësisë më 2008.

Deri më tani janë mbajtur një mori zgjedhjesh të parakohshme.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG