Ministria e Shëndetësisë e Kosovës tha se sipas të dhënave nga 5 gushti deri më 1 dhjetor, 89 për qind e viktimave me COVID-19, kanë qenë të pavaksinuar plotësisht.
Sipas njoftimit, gjatë kësaj periudhe, kanë vdekur 1,435 persona dhe 1,280 prej tyre kanë qenë të pavaksinuar plotësisht.
Sipas ekspertëve shëndetësorë, që një person të konsiderohet i vaksinuar plotësisht, duhet të marrë dy doza të vaksinës dhe dy javë pas dozës së dytë ai konsiderohet i vaksinuar plotësisht.
“Kjo e dhënë tregon për rëndësinë e vaksinimit të plotë në frenimin e përhapjes së COVID-19, në parandalimin e infektimit me forma të rënda të sëmundjes dhe vdekjeve nga COVID-19”, tha Ministria e Shëndetësisë.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë, që prej regjistrimit të rasteve të para me koronavirus në marsin e vitit 2020, deri më 12 dhjetor, në Kosovë kanë vdekur 2,987 persona.
Ndërkaq, sa i përket vaksinimit, me dy dozat e vaksinës janë imunizuar mbi 772 mijë qytetarë dhe me një dozë mbi 871 mijë persona.
Të drejtë vaksinimi në Kosovë kanë qytetarët mbi 12 vjeç. Ata mund të zgjedhin ndërmjet vaksinës AstraZenca dhe Pfizer/BioNTech – dy vaksina të miratuara për përdorim nga Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe Agjencia Evropiane për Barna.
Në Kosovë ka nisur edhe imunizimi i qytetarëve me dozën përforcuese dhe dozën e tretë dhe ato mund t’i marrin personat mbi 18 vjeç.