Ndërlidhjet

Qytetarët kërkojnë masa shtesë ndaj koronavirusit


Prishtinë, fotografi nga arkivi.
Prishtinë, fotografi nga arkivi.

Qytetarët nuk e fshehin frikën nga përhapja e koronavirusit të ri edhe në Kosovë, pasi që i njëjti tashmë është konfirmuar se ka prekur njerëz në vende të ndryshme botërore. Shqetësimet janë rritur sidomos ditët e fundit, pas raportimit të rasteve në Itali.

Në Kosovë nuk është shënuar asnjë rast pozitiv me virusin e ri, i cili ka marrë edhe emrin zyrtar COVID-19, e që besohet se e ka origjinën në Kinë. Megjithatë shumë qytetarë mendojnë se të gjithë duhet t’i shtojnë masat për të parandaluar apo edhe përballuar një përhapje eventuale.

Gjatë ditës së martën, në Qendrën Klinike Universitare, u paraqitën tre raste të dyshuara me koronavirus. Por, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike njoftoi se analizat dolën negative për koronavirusin e ri.

Antigona Kuqi, qytetare nga Prishtina, thotë se nuk e di nëse institucionet gjegjëse janë mjaft të përgatitura në rast të shfaqjes së këtij virusi në Kosovë.

“Ne në Kosovë, mendoj se gjendjen në spitale nuk e kemi edhe shumë të mirë. Kjo po më bën të ndjehem e pasigurt pasi që virusi ka arritur në Itali dhe mendoj se shumë shpejtë do të ketë edhe në Shqipëri, çka më shkakton frikë se do të vjen pastaj edhe te ne”, thotë Kuqi.

“Unë për vete udhëtoj me trafik urban, çka më bën të jem në kontakt me shumë njerëz dhe kjo po më shkakton frikë. Si qytetare do të doja ta di çfarë masa kanë ndërmarrë qeveria dhe institucionet tjera”, thotë ajo.

Edhe një tjetër qytetare, Valdete Hamiti, thotë se nuk është e sigurt nëse institucionet shëndetësore janë të përgatitura për menaxhimin e virusit në rast të shfaqjes së tij në vend.

“Unë si qytetare jam e shqetësuar me përhapjen e koronavirusit të ri në botë, pasi që mendoj se në Kosovë nuk kemi kushte për ta trajtuar. Edhe pse institucionet po thonë se nuk është alarmante dhe është në kontroll gjithçka, prapë është ajo frika se a kemi kushte që të mbrohemi dhe të trajtohemi”, tha ajo.

Ndonëse në Prishtinë shumë pak njerëz mund të shihen rrugëve me maska mbrojtëse, si një prej masave kundër përhapjes së virusit, në disa barnatore thonë se qysh tash vërehet se ka mungesë të maskave, meqë nga dita e hënë, kur edhe dyshohej për një rast me koronavirus në Kosovë, kërkesat për maska u rritën shumë.

Farmacistja, Mirlinda Gashi, thotë se aktualisht në barnatoren ku ajo punon, nuk ka maska për shitje.

Ndërkaq çmimi nga 0.5 centë sa kishte qenë më herët, tani është rritur në 0.10 centë, për shkak të kërkesave të mëdha.

“Vetëm sot nuk ka maska. Deri dje kemi pasur në shitje. Dje ka qenë kërkesë më e madhe se ditëve paraprake”, tha Gashi.

“Maskat që ne i kemi janë të thjeshta dhe munden të të mbrojnë nga personi i infektuar, në mënyrë që të mos bartet ndonjë baktere”, thekson ajo.

Izet Sadiku, infektolog, i tha Radios Evropa e Lirë se Klinika Infektive tashmë është e gatshme të pranojë persona të prekur me koronavirusin e ri, ku siç thotë ai, në bazë të rekomandimeve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, tashmë ekziston edhe reparti i izoluar.

“Duke e pasur parasysh përhapjen e koronavirusit, konsiderohet se edhe Kosova është një vend me rrezikshmëri. Mënyra e përhapjes së sëmundjes dhe manifestimet e sëmundjes klinike, që ngjajnë me grip të zakonshëm, na ka shtyrë që ne t’i ndërmarrim masa për pranimin e rasteve”, thotë Sadiku.

“Ne kemi pasur disa raste të dyshuara, por që kanë rezultuar negative”, thekson infektologu Sadiku.

Sipas tij, një çështje shumë e rëndësishme është që të mos krijohet panik dhe të ndiqen hapat e Institutit të Shëndetit Publik, pasi që vdekshmëria nga kjo sëmundje, thotë Sadiku, është e ulët dhe shkon deri në 3 për qind.

Ministri i Shëndetësisë në Qeverinë e Kosovës, Arben Vitia tha se edhe Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinë, “Adem Jashari”, i ka bërë të gjitha përgatitjet e duhura për të kontrolluar qytetarët që vijnë nga jashtë. Ai tha se në këtë aeroport ka staf shëndetësor.

“Plani strategjik është aprovuar javën e kaluar dhe qysh sot kemi filluar me takime, edhe natyrisht me veprimet të cilat ndërlidhen me ministritë e tjera. Jemi duke punuar që të ndërmerren të gjitha masat”, u shpreh ministri Vitia.

Mbi 2,600 njerëz kanë vdekur në Kinë nga ky virus, që u paraqit për herë të parë. Numri i rasteve të prekura në botë ka kaluar tashmë 80,000.

Italia është vendi me më së shumti persona të prekur me këtë virus në Evropë, derisa ditën e martë është konfirmuar edhe një rast me koronavirusin e ri në Kroaci.

Shenjat kryesore të infektimit me koronavirus janë temperatura e lartë, kolla dhe vështirësitë në frymëmarrje.

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka thënë të hënën se bota duhet të bëjë më shumë për t'u përgatitur për pandemi të mundshme.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG