Ndërlidhjet

Raka: Kosova fitoi një betejë, por jo luftën kundër COVID-19


Mikrobiologu Lul Raka. Fotografi nga arkivi.
Mikrobiologu Lul Raka. Fotografi nga arkivi.

Kosova mund të ketë fituar një betejë më koronavirusin e ri, mirëpo si çdo shtet në botë është shumë larg për ta mundur atë tërësisht, ka thënë mikrobiologu Lul Raka i cili është në frontin e parë në Kosovë, në luftën kundër pandemisë që ka kapluar të gjithë botën.


Që nga 4 maji, në Kosovë janë lehtësuar disa masa që ka inkurajuar njerëzit t’i hapin disa dyqane si dhe është rritur numri i personave që dalin në rrugë.

Sipas ekspertëve shëndetësorë, nëse nuk respektohen masat, mund të ketë infektime të reja.

“Duke marrë parasysh numrat e javës fundit të të prekurve me COVID-19 (sëmundja që shkaktohet nga koronavirusi), Kosova betejën me këtë sëmundje e ka fituar, por për luftë është ende herët të flitet. Kujdesi i qytetarëve ka qenë vendimtar që ta kemi këtë numër të të infektuarve që e patëm. Por, duhet të vazhdojë edhe pas lirimit të masave, që tashmë po ndodh, që të kenë kujdes qytetarët. Ata duhet fokusohen në mbulimin e fytyrës me maska aty ku ka grumbullime të njerëzve dhe duke vazhduar me higjienën e duarve”.

“Por, prej shembujve që i kemi parë nga shtetet tjera të cilat kanë qenë të suksesshme në fazat e para, çdo lirim i masave i parakohshëm ose i pakujdesshëm, është përcjellë me raste të reja të të infektuarve. Për shembull në Singapor, një pakujdesi e qytetarëve në një konvikt të punëtorëve, u infektuan 1,300 punëtorë. Andaj nuk duhet lejuar një gjë të tillë’’, thotë mikrobiologu Lul Raka.

Mbi 9 mijë teste për koronavirus janë kryer në Kosovë, ku prej tyre kanë rezultuar pozitivë me COVID-19 880 raste, 653, derisa 28 kanë vdekur.

Mbi 600 pacientë tashmë janë shëruar plotësisht, ndërkaq në Klinikën Infektive janë nëntë pacientë me COVID-19 që po marrin trajtim mjekësor.

Infektologu Valbon Krasniqi, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thotë se ende janë duke luftuar pandeminë e koronavirusit, ndonëse, sipas tij, janë në fund të sëmundjes. Megjithëkëtë, ai tregon se përballja me sëmundjen në fillimin kur u paraqitën rastet e para, ka qenë e vështirë.

“Mendojmë se jemi në rrugë të mirë për ta mposhtur koronavirusin, pasi që jemi në një fazë që kemi më shumë të shëruar dhe numër të vogël të rasteve të reja të të infektuarve”.

“Megjithatë, ende kemi raste aktive dhe raste kontakti që po monitorohen dhe ende nuk është mbyllur zyrtarisht epidemia. Mendoj se ne si Kosovë, pra të gjithë aktorët e përfshirë në pandemi, duhet të ulemi dhe të analizojmë se çka duhet të punohet më mirë, në mënyrë që të dihet saktë se çfarë duhet bërë në të ardhmen, jo për të akuzuar dikë sepse është bërë punë e mirë dhe e madhe, por për të mësuar nga pandemia”, thotë infektologu Krasniqi.

A pritet valë e dytë e koronavirusit?

Mikrobiologu Lul Raka thotë se koronavirusi nuk do të zhduket dhe parashihet një valë tjetër në muajin tetor. Megjithëkëtë, ai thotë se menaxhimi i sëmundjes në valën e dytë do të jetë më i lehtë.

“Sa i përket valës së dytë, virusi nuk zhduket aq lehtë, por që në sezonin tjetër, edhe Kosova por edhe çdo shtet tjetër ka kohë që të përgatitet dhe çfarëdo vatre e re që shfaqet, të reagohet. Tjetra, ka kohë të mjaftueshme për t’u përgatitur, qoftë me teste, pajisje dhe respiratorë, pasi tashmë gjithë kanë përvojë ne menaxhim. Elementi favorizues është se tashmë shumë njerëz janë prekur me virus dhe e kanë kaluar infeksionin, dhe goditja e valës së dytë do të jetë më e lehtë, dhe nuk do të mbyllemi ose të izolohemi’’, shtoi Raka.

Derisa Krasniqi thotë se nëse koronavirusi nuk do ta ndërrojë formën virusale, menaxhimi do të jetë shumë më i lehtë.

"Kthimin i virusit si valë e dytë e presim, por do shohim se në çfarë forme do të kthehet, a do të ndryshojë formën virusale. A do të jetë i ashpër apo i butë, është e vështirë të thuhet tash. Nëse nuk ndryshon forma e virusit, atëherë do ta kemi më të lehtë menaxhimin, meqë kemi bërë përvojë", thotë Krasniqi.

Sipas ekspertëve shëndetësorë, koha kur pritet vala e dytë e koronavirusit,, është muaji tetor kur edhe do të ketë grip sezonal, e që do të mund të ju shkaktojë telashe në numrin e madh të të prekurve me grip sezonal.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG