Ndërlidhjet

Qeveria e Kosovës themelon Fondin e Sigurisë


Kabineti qeverisës i Kosovës gjatë një mbledhjeje.
Kabineti qeverisës i Kosovës gjatë një mbledhjeje.

Qeveria e Kosovës ka themeluar Fondin e Sigurisë, në të cilin qytetarët dhe donatorë të ndryshëm mund të kontribuojnë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se ky fond është themeluar bazuar në nevojat e Forcës së Sigurisë së Kosovës, “situatës aktuale dhe pas konsultimeve me partnerët ndërkombëtarë”.

“Mjetet e mbledhura financiare synohet të përdoren në përputhje me strategjinë e sigurisë shtetërore të Republikës së Kosovës që pritet të miratohet nga Qeveria e Republikës se Kosovës. Funksionimi i këtij fondi do të rregullohet me akte përkatëse procedurale dhe do të përdoret ekskluzivisht për qëllimin e përcaktuar nga qeveria”, tha Kurti.

Ndërkaq, ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, tha se qytetarët mund të kontribuojnë me mjete financiare dedikuar sigurisë së Kosovës.

“Siguria jonë kurrë nuk ka nënkuptuar pasiguri për të tjerët. Përkundrazi, dje, sot dhe nesër, ishim, jemi e do të jemi siguri e mbrojtje për të gjithë, pa dallim”, tha Mehaj përmes një postimi në Facebook, duke shtuar se në ditët në vijim do të bëhen të ditura detajet e tjera se si qytetarët do të mund të kontribuojnë në këtë fond.

Ndryshe, buxheti që ka ndarë Qeveria e Kosovës për FSK-në më 2022 kap vlerën e mbi 100 milionë eurove.

Që prej vitit 2018, FSK-ja është në proces të transformimit në ushtri. Ky proces është thënë se do të zgjasë dhjetë vjet.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG